Ferizaj

Aliu : Me grantet nga MAPL dhe DEMOS do të asfaltohet rruga e Reçakut dhe ndërtohet QMF në Nerodime

By FerizajPress

May 14, 2018

Paraditen e sotme, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka mbajtur mbledhje me drejtorët e drejtorive komunale me ç ‘rast u diskutua për një mori çështjesh të cilat po realizohen në sektorët komunal dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet qeverisja lokale.

Kryetari i Komunës, Agim Aliu njoftoi drejtorët e drejtorive komunale për vizitat që i bënë javën e shkuar Ferizajt, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj me ç ‘rast u nënshkrua memorandumi për hapjen e Qendrës e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizajt, projekt i këtij lloji që po realizohet për herë të parë në Kosovë, pikërisht në Komunën e Ferizajt.

Gjithashtu, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu u shpreh mirënjohës për mbështetjen që po i jep edhe ministri i zhvillimit ekonomik, Valdrin Lluka, i cili në vizitën e fundit që realizoi para pak ditësh në Ferizaj tha se kjo ministri do të investoj 25 milionë euro në Komunën e Ferizajt për trajtimin e ujërave të zeza.

Në kuadër të financimeve të projekteve të ndryshme, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu njoftoi edhe për marrëveshjen për mirëkuptim dhe financim në mes Komunës së Ferizajt dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe DEMOS ku komuna jonë do të përfitoj grant bazuar në performancë, grant ky që do të shpenzohet në jetësimin e dy projekteve të rëndësishme infrastrukturore, atë të asfaltimit të rrugës së Reçakut dhe ndërtimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Nerodime.

Në këtë mbledhje, drejtorët e drejtorive komunal njoftuan për përgatitjet për seancën e Kuvendit të Komunës, që do të mbahet më 18 maj si dhe ecurinë e punës në sektorët që ata drejtojnë.