Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi priti sot në takim Këshillin iniciator të aktorëve të Kosovës, të kryesuar nga aktori i mirënjohur Enver Petrovci, të cilët paraqitën idenë e nxjerrjes së një Udhëzimi Administrativ i cili do të bënte obligativ bashkëpunimin e shkollave me teatër, duke i obliguar ato që të paktën dy herë në vit fëmijët nga klasa e parë deri në klasën e dymbëdhjetë ti dërgojnë në teatër.
Kjo iniciativë ka për qëllim që përmes të shkuarit në teatër, të ndërrohet qasja e fëmijëve, në kohën kur është krijuar një lidhje e madhe në mes të fëmijëve dhe pajisjeve teknologjike dhe është rritur numri i dukurive negative në shkolla. Ky aktivitet po ashtu do të ndikonte në ngritjen e cilësisë në arsim dhe përballimin e vështirësive në procesin mësimor.
Bytyqi, e mirëpriti këtë iniciativë, duke thënë se është shumë e rëndësishme gjetja e mënyrës më të përshtatshme për ta bërë të zbatueshme këtë ide, fillimisht përmes nxjerrjes së Udhëzimit Administrativ dhe më pas përmes një bashkëpunimi të ngushtë me Ministrinë e Kulturës, e cila do të krijonte mekanizmat e nevojshëm që fëmijët të dërgohen në teatër apo teatri të dërgohet në zonat, ku një gjë e tillë do të krijonte vështirësi financiare apo logjistike.
Ministri Bytyqi po ashtu tha se, me fillimin e zbatimit të mësimit tërë ditor, në kuadër të të cilit janë të parapara edhe aktivitete jashtëkurrikulare, dërgimi i fëmijëve në Teatër do të ishte më lehtë i zbatueshëm.
Aktori Enver Petrovci, nga ana e tij e falënderoi ministrin për gatishmërinë që kjo ide të rregullohet përmes infrastrukturës ligjore, e cila do të rregullonte në mënyrë më të detajuar disa çështje.