Aksioni “Zjarri i Bardhë” në Ferizaj – arrestohet i dyshuari që ishte në arrati

Share

Një aksion policor që kishte nisur muaj më parë në Ferizaj ka marrë epilog me arrestimin e njërit prej të dyshuarve, i cili kishte qenë në arrati për disa muaj.

Rasti daton nga 6 nëntori 2025, kur njësitë kundër narkotikëve (DHTN) në kuadër të operacionit “Zjarri i Bardhë” kishin ndaluar një veturë në fshatin Muhovc.

Gjatë kontrollit, tek i dyshuari Erdonis Osmani ishte gjetur kokainë dhe marihuanë, çka kishte çuar në bastisje të mëtejme në një shtëpi në të njëjtin fshat.

Aty ishin gjetur sasi të tjera të narkotikëve, para të gatshme dhe prova që lidhen me aktivitetin e dyshuar kriminal. Në vendngjarje ishte hasur edhe një person duke konsumuar marihuanë, ndërsa i dyshuari Enver Jashari (1983) kishte arritur të largohej në momentin e ndërhyrjes së Policisë.

Që nga ajo kohë, ai kishte qenë në arrati dhe në kërkim policor, me urdhër-arrest të lëshuar nga gjykata.

Por më 25 mars 2026, rreth orës 17:30, Policia ka arritur ta lokalizojë në fshatin Muhovc, ku ndodhej në fermën e tij.

Sapo ka vërejtur njësitet policore, i dyshuari ka tentuar të ikë, duke u larguar me vrap në drejtim të fshatit Saraishtë.

Pas një ndjekjeje rreth 3 kilometra në këmbë, njësitet policore kanë arritur ta arrestojnë.

Gjatë arrestimit, tek ai janë gjetur dhe sekuestruar para të gatshme në euro dhe franga zvicerane.

Me urdhër të Prokurorit të rastit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin e narkotikëve vazhdojnë.

 

Të ngjashme: