19,12,2024

Ahmeti: Mos të shkojmë në Kuvend pa marrëveshje paraprake

Must Read
Ali Ahmeti

Ai në intervistën e tij për RTV21, tha se deri më tani nuk ka ndonjë sinjal se Kuvendi mund të thirret, por sipas tij, përpjekje po bëhen.

“Pa një marrëveshje të mirëfilltë mes palëve si përfaqësues të komuniteteve shumicë, LSDM-së, VMRO-së, BDI-së dhe partive tjera, ne nuk mund të bëjmë eksperimente dhe prova si në teatër, të shkojmë në parlament pa një marrëveshje paraprake. Dhe jo të shkojmë në parlament për të parë njëri tjetrin dhe për të shkëmbyer ca sharje dhe ofendime, por për të zhvilluar një seancë ku do të zgjidhet një komision për emërime, dhe të zgjidhet kryetari i Parlamentit”, tha Ali Ahmeti.

Ahmeti nuk sheh tendenca pro ruse tek VMRO DPMNE, por thotë se Rusisë nuk i konvenon që Maqedonia të jetë e anëtarësuar në NATO dhe BE. Ai tha se po të kish vërejtur anësim drejt politikave pro ruse, nuk do të ishte pjesë e qeverisjes.

“Unë nuk kam vërejtur anësim, dhe nuk kam vërejtur implementim të politikave ndryshe nga ato perëndimore në këto hapësira, sepse po të kisha vërejtur një tendencë të tillë unë nuk do të isha në partneritet për organizim të qeverisë dhe të këtij shtetit”, shtoi ai.

Lidhur me mosdhënien e mandatit nga ana e Gjorgje Ivanovit, Ahmeti tha se vetëm VMRO DPMNE dhe askush tjetër mund të ndikojë që ai të reflektojë dhe ta zgjidh, siç e quajti ai, lëmshin politik të krijuar.

Duke folur për Deklaratën e Përbashkët, kreu i BDI-së tha se çështja e gjuhës ka qenë pika e parë e BDI-së edhe në vitin 2014, por partia e tij është tërhequr nga ajo pikë, për shkak se kishte propozim konkret për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Ahmeti nuk e la pa e përmendur se kërkesa e Lëvizjes Besa që kryeministri shqiptar, Edi Rama, ta pranojë autorësinë e Deklaratës së Përbashkët është përdorur nga Ivanovi dhe Gruevski maksimalisht.

“Mund që me keqardhje të them se në atë takim ku është hartuar, dhe jemi marrë vesh me partitë politike shqiptare që veprojnë këtu në Maqedoni, nuk ju është përgjigjur thirrjes një parti politike e quajtur Besa.

Ata vazhduam edhe më tutje duke i bërë thirrje, letër të hapur kryeministrit të Shqipërisë, që ai të pranojë autorësinë. Një autorësi të paqenë, sepse ai nuk ka qenë autor, dhe unë në këtë rast nuk dua as ta arsyetoj e as ta amnistoj Shqipërinë, sepse Z.Rama bëri një akt vëllazëror”, u shpreh Ali Ahmeti.

“Mirëpo e keqja është se arsyet që i përdor Besa për të dalë me letër, që të pranojë autorësinë Zoti Edi Rama, këtu e ka shfrytëzuar edhe presidenti, edhe kryetari i VMRO DPMNE-së, Zoti Nikolla Gruevski, e kanë shfrytëzuar edhe analistë, duke thënë që ja një parti politike shqiptare po kërkon nga Edi Rama që të pranojë autorësinë”, shtoi ai.

Ahmeti pranon se shteti i së drejtës nuk funksionon, dhe se reformat në drejtësi duhet të bëhen sa më shpejtë. Ai disa herë përsëriti se problemi është politik, dhe zgjidhja duhet të jetë politike, e jo të shndërrohet në problem etnik.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img