19,11,2024

Agron Bajraktari- model i ri udhëheqësi në një universitet

Must Read

Këtë javë, në rubrikën “Profil”, do t’ua prezantojmë rektorin e Universitetit te Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Prof.Dr. Agron Bajraktari.

Suksesi i Bajraktarit lidhet me personalitetin e tij shumë energjik, aftësisë për të vepruar shpejt në situata të paparashikuara, logjikën moderne të menaxhimit, si dhe dëshirës dhe vullnetit për përgatitje të vazhdueshme profesionale.

Më 15 mars 2016, ai u zgjodh rektor i universitetit më të ri publik në vend dhe të vetmit të profilizuar – Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj. Ndërsa, është edhe anëtar i Konferencës së Rektorëve të universiteteve publike të Kosovës. Para zgjedhjes së tij rektor, Bajraktari ka qenë prorektor në Universitetin e Prishtinës (2012-2014),  anëtar i Bordit Drejtues të Universitetit të Mitrovicës (2013-2016), si dhe Këshilltar Politik në fushën e pylltarisë në Qeverinë e Kosovës (2008-2012).

Në vitin 2004 u zgjodh koordinator i ECTS dhe Zhvillimit Akademik. Ndërsa, në vitin 2006 u zgjodh shef i Departamentit të Përpunimit të Drurit. Pastaj, Bajraktari u zgjodh Dekan i Fakultetit të Shkencave Teknike të Aplikuara në Ferizaj pranë Universitetit të Prishtinës në vitin 2006, si dhe u rizgjodh për mandatin e tij të dytë në vitin 2009. Bajraktari është zgjedhur Ligjërues në Universitetin e Prishtinës në vitin 2003, ndërsa në vitin 2006, Universiteti i Prishtinës e zgjodhi z. Bajraktarin Profesor Asistent, në vitin 2011 Profesor i Asocuar dhe së fundi, në korrik të vitit 2016 u zgjodh Profesor i Rregullt (thirrja më e lartë universitare që mund të merret në Kosovë).

Ai ka mbi 90 prezantime në konferenca të ndryshme ndërkombëtare (në Amerikë, Argjentinë, Brazil, Kinë, Japoni, Korenë e Jugut, Rusi dhe shtete të ndryshme evropiane).  Gjithashtu, ka publikuar punimet e tij në revista të njohura ndërkombëtare me recension ndërkombëtar dhe impakt faktor, e po ashtu, recensent në 6 revista ndërkombëtare dhe anëtar i organizatave më të rëndësishme në botë në fushën e pylltarisë dhe industrisë së drurit. Gjithashtu, pjesëmarrës në shumë komitete shkencore dhe ngjarje të ndryshme nga fusha e tharjes së drurit.

Prof. Dr. Agron Bajraktari ka publikuar tre libra nga fusha e tij e studimit (2 monografi dhe 1 libër universitar). Studimet bachelor dhe master i mbaroi në Departamentin e Industrisë së Drurit – Fakulteti i Shkencave Pyjore në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Në vitin 2004 e mori titullin Doktor i Shkencave, ndërsa ka vazhduar për të dytën herë me studimet master në fushën e ekonomisë (MBA) pranë Universitetit Staffordshire në Angli.

Prof. Dr. Agron Bajraktari flet gjuhën angleze, italiane dhe atë gjermane.

Prof. Bajraktari ka punuar edhe në shumë projekte dhe kompani private në sektorin e përpunimit të drurit.

Vlerësohet po ashtu dedikimi i tij në ngritjen dhe zhvillimin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, në një Universitet model të zhvillimit profesional të të rinjëve në fushën e sektorit të përpunimit të drurit dhe atij të  plastikës, duke bashkërenduar një bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat dhe njësitë e kërkim-zhvillimit shkencor e aplikativ.

Pasi sektori i përpunimit të drurit dhe atij të plastikës janë ndër më të zhvilluarit në vend edhe nevoja për kuadro të reja me aftësi aplikative në industri bazuar në trendet globale zhvillimore është mjaft e madhe, këto arritje të reja të Universitetit Publik në Ferizaj i japin rektorit Bajraktari dhe stafit të tij vlera të shtuara për shoqërinë kosovare./Gazeta Observer

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img