Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Agon Maliqi ka theksuar se një front opozitar do të jetë i suksesshëm vetëm atëherë, kur sekti ideologjik i VV-së skajohet. Ai në një shënim në Facebook ka thënë se pas tërë këtyre viteve, është iluzore të mendohet se grupi i themeluesve të VV-së do të ketë sukses.
Shënimi i plotë:
Çfarëdo fronti opozitar që ndërtohet në të ardhmen (nëse ndërtohet), e vetmja mënyrë që ai të ketë sukses elektoral është që sekti ideologjik i cili e ka diktu deri më sot politikën e VV (dështim pas dështimi) me u skaju në ulëse të pasme e me ua lëshu timonin rrymave liberale / social demokrate.
Kjo formulë tregoi sukses në Prishtinë me Shpend Ahmetin dhe mund të tregojë sukses edhe në nivel kombëtar. Por pas gjithë këtyre viteve është iluzore të pritet se ky grup i themeluesve të VV do të bëjë diçka të tillë ndonjëherë.
Këta rrymat liberale kurrë nuk i kanë parë si partnerë, por si vegla drejt jetësimit të një projekti ideologjik që në Kosovë nuk pi ujë, prandaj gjithmonë në çdo skenar do të synojnë të dominojnë dhe ta imponojnë agjendën e tyre.
Rrymat liberale të të gjitha partive duhet të punojnë në një projekt vetanak sepse vetëm prej këtij pozicioni mund të krijojnë pol kushtëzues dhe me fuqi përcaktuese (“kingmaker”) qoftë ndaj sektit të VV, qoftë ndaj partive klienteliste.