Krypometri vlerëson se Aliu e ka thënë të vërtetën lidhur me publikimin e listës së uzurpatorëve në Komunën e Ferizajt. Lista nuk është e plotë, por zyrtarët e komunës së Ferizajt kanë thënë se ajo do të azhurnohet. Komuna e Ferizajt ka filluar t’i publikojë edhe vendimet e kryetarit dhe të drejtorëve.
Lista e personave që kanë uzurpuar prona publike, gjegjësisht prona të Komunës së Ferizajt tani më janë bërë publike në faqen e kësaj komune.
Publikimi i këtyre listave ishte premtim i Kryetarit të kësaj komune, Agim Aliu në fushatën zgjedhore të zgjedhjeve lokale në vitin 2017.
Në debatin parazgjedhor të moderuar nga Jeta Xharra, Aliu kishte premtuar që listën e uzurpatorëve të pronave komunale ta publikojë brenda gjashtë muajsh.
“Qysh në gjashtë mujorin e parë të gjitha këto të dhëna do të jenë publike. Listën e uzurpatorëve në momentin që ne e konstatojmë gjendjen në bazë të të dhënave , në gjashtë mujorin e pare”, kishte thënë Aliu.
Ende pa u arritur ky afat kohor, në faqen e kësaj komune ekziston lista e uzurpatorëve të Ferizajt.
Përveç kësaj, Komuna e Ferizajt ka filluar t’i publikojë edhe vendimet e kryetarit. Vendimet e një muaji janë të grumbulluara në një dokument dhe ato nuk po publikohen veçmas.
Komuna e Ferizajt ka filluar t’i publikojë edhe vendimet e drejtorëve të drejtorive komunale, por aty nuk janë të publikuara të gjitha vendimet./Kallxo.com