Ferizaj

Agim Aliu: Ne do ta bashkojmë qytetin përmes projekteve konkrete infrastrukturore

By FerizajPress

October 05, 2017

Ferizaj.05.10.2017. Kandidati për Kryetar të Komunës së Ferizajt nga radhët e PDK-së, z. Agim Aliu, në debatet zgjedhore të mbajtura në mediat qendrore, ka paraqitur disa nga pikat kryesore të investimeve në infrastrukturë dhe urbanizëm, të cilat janë të përfshira në programit zgjedhor, me qëllim bashkimin e qytetit.

“Ndërtimi i infrastrukturës në zonën qendër dhe të tjera, kam paraparë të zhvillohet në 3 faza.

Faza e parë: – Ndërtimin e nënkalimit për automjete që lidh rr. “Vëllezërit Gërvalla” me rr. “Latif Hasani” (prapa Postës) deri tek rrethrrotullimi afër Shtëpisë së Pensionistëve; – Urat mbikaluese në formë harku (jo me shkallë) që lidhin rr. “Tahir Sinani” me rr. “Ahmet Kaçiku”; – Vazhdimi i nënkalimit ekzistues nën rr.”Ahmet Kaçiku” me dalje në rr. “Emin Duraku”.

Faza e dytë: – Nënkalim për automjete që lidh rr.”Rexhep Bislimi” me rr. “Agim Matoshi” dhe tregun. Dalje në rr. “Enver Topalli”; – Ndërtimi i parkingjeve nëntokësore tek tregu i gjelbër me partneritet publiko-privat; Faza e tretë: – Ndërtimi i rrugës nëntokësore që lidh rrugën e ndërtuar në fazën e parë me rrugën e ndërtuar në fazën e dytë, nëpër qendër të qytetit; – Ndërtimi i parkingjeve nëntokësore në sheshin e komunës dhe lidhja nëntokësore me qendrën komplekse të stacionit të autobusëve që do të vendoset në oborrin e shkollës “Gjon Serreçi”. Të gjitha këto projekte do të konsultohen dhe procedohen për aplikim në dakordim me mendimin profesional të ekspertëve dhe kërkesat qytetare” u shpreh Agim Aliu.