Ferizaj, 26 Qershor 2025 – Kryetari aktual i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka konfirmuar zyrtarisht kandidimin për një mandat të ri në krye të komunës në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 12 tetor 2025.
Në një mesazh të gjatë dhe emocional drejtuar qytetarëve të Ferizajt, Aliu ka theksuar se përgjigjja e tij për qytetin ka qenë dhe mbetet gjithmonë “PO”. Ai vlerësoi besimin e qytetarëve si privilegjin më të madh dhe nderin më të veçantë që i është dhënë gjatë viteve të qeverisjes lokale.
“Ferizajasit e mi të dashur, PO është gjithmonë përgjigja ime për ju, për ma të mirin Ferizaj!”, shkruan Aliu në mesazhin e tij publik, duke vënë në pah arritjet e përbashkëta dhe zhvillimin e qytetit në çdo fushë të jetës.
Duke përmendur sukseset e realizuara gjatë mandatit të tij, Aliu tha se Ferizaj është shndërruar në një model suksesi dhe zhvillimi në nivel republikan, duke u ngjitur në “majat ku përket”. Ai theksoi se qyteti ka përjetuar një transformim të dukshëm, falë bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët dhe punës së palodhshme të ekipit qeverisës lokal.
“Është zëri juaj i sinqertë, mbështetja juaj e pamatshme, që më ka shtyrë gjithmonë të ec para. Për Ferizajn e veprave identitare, për Ferizajn që qeveriset me besimin tuaj të palëkundur, unë them sërish PO”, theksoi ai.
Aliu premtoi vazhdim të angazhimit dhe të punës me përkushtim e përulësi, duke e cilësuar datën 12 tetor si një moment reflektimi dhe vendimmarrjeje për të ardhmen e qytetit.
Me këtë konfirmim, Agim Aliu hyn zyrtarisht në garën për të fituar një tjetër mandat në drejtimin e Ferizajt, duke kërkuar votën e qytetarëve mbi bazën e rezultateve konkrete dhe besimit të ndërsjellë ndër vite.
Njoftimi i plotë:
Ferizajasit e mi të dashur, PO është gjithmonë përgjigja ime për ju, për ma të mirin Ferizaj!
Pak më shumë se 100 ditë na ndajnë nga zgjedhjet lokale 2025. Përgjatë viteve të bashkëqeverisjes me ju, i dhamë Ferizajt atë që i takonte prej kohësh, atë që meriton çdo ferizajas, atë që ju i falët besimin e plotë e të palëkundur për ta bërë realitet atë që breza para nesh ëndërruan. Ne ecëm bashkë, ne bashkë e bëmë Ferizajn shembullin më kuptimplotë, kampion në çdo fushë të jetës, e ngjitëm në majën ku përket Ferizaj ynë.
Ju më dhatë më të shtrenjtën e më të çmueshmen tuajën – besimin tuaj, duke më veshur me nderin e jashtëzakonshëm, privilegjin e papërsëritshëm, përgjegjësinë më krenare, t’ju shërbej ju, në çdo ditë të punës sime.
Po, unë dhe ekipi im, jemi në punë, jemi çdo ditë me ju, bashkë ndajmë sukseset e sfidat, pa e ndalur asnjëherë hapin tonë për ta bërë gjithnjë më të mirën.
Është zëri juaj i sinqertë, është mbështetja e pamatshme dhe e gjithanshme e juaja, është dëshmia e prekshme e vizionit se një qytet mund të transformohet tërësisht për tu bërë model i Republikës, është thirrja juaj së cilës i kam thënë PO gjithnjë dhe i them PO sërish.
Për Ferizajn që pakrahasimisht rritet e zhvillohet çdo ditë, për Ferizajn e veprave identitare, për Ferizajn që e qeverisin ferizajasit me besimin e fjalën e tyre, për Ferizajn – dashurinë tonë të madhe për të cilën kemi nderin e detyrën t’i shërbejmë përulësisht.
Energjiplotë, pandalshëm, me punën dëshmitare, mirëpresim 12 Tetorin, fjalën tuaj që buron nga zemra, nga dashuria juaj për Ferizajn, nga i kristalti besim që nuk ndërtohet për një ditë, as për një fushatë zgjedhore, por që provat e dëshmitë i dha ndër vite.
Na priftë e mbara!
Falënderues përulësisht, përjetë!