Ferizaj

Agim Aliu betohet si Kryetar i Komunës së Ferizajt për katër vitet e ardhshme

By FerizajPress

December 03, 2025

Kuvendi Komunal i Ferizajt ka mbajtur sot seancën inauguruese për mandatin e ri katërvjeçar. Në këtë ceremoni morën pjesë mysafirë të shumtë, drejtues e përfaqësues të institucioneve lokale e qendrore, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prijës fetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, media dhe shumë të ftuar të tjerë.

Seancën e udhëhoqi anëtari më i vjetër i Kuvendit, Xhavit Zariqi, i cili pasi përshëndeti të pranishmit, uroi kuvendarët e rinj, duke theksuar rëndësinë që ka për secilin prej tyre detyra në organin më të lartë të pushtetit lokal.Pas fjalës përshëndetëse, seanca vazhdoi me dhënien e betimit dhe nënshkrimin e deklaratave nga 41 anëtarët e zgjedhur të Kuvendit. Po ashtu, betimin para Kuvendit e dha edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

Në adresimin e tij, Kryetari Aliu shprehu falënderimin për qytetarët e Ferizajt për besimin e dhënë dhe ritheksoi zotimin për angazhim të pandalshëm në avancimin e jetës dhe mirëqenies së qytetarëve të komunës.

“Jam sot para jush, përballë secilit ferizajas, pranë të zgjedhurve të tyre, në këtë godinë muret e së cilës dëgjojnë prej dekadash zërin e çdo ferizajasi, i veshur me kostumin më të shndritshëm, më krenar – me privilegjin e pamat, nderin e jetës sime, besimin që buroi nga ju e ju i dhatë emër dhe mbiemër, të jem sërish i zgjedhuri juaj, në krye të qytetit tonë, krenarisë sonë, dashurisë sonë – FERIZAJT. Janë pak javë që na ndanë nga koha kur folën ferizajasit. Ata folën me zë e gjuhë të qartë, folën me pastërtinë e shpirtit e kthjelltësinë e mendjes, me vlerësimin e të sotmes e sytë drejt së ardhmes – për Ferizajn e Gjeneratës Tjetër, për Ferizajn e shijes së gjithmonshme të suksesit për qytetin që rritet, ecën me hapa gjigand – pa frikë drejt së ardhmes, për energjinë e zhvillimit që kudo ndihet, për ta bërë të shndritshme çdo shkronjë të emrit të Ferizajt, për ta bërë krenarë çdo ferizajas kudo ku shkon e ngado ndodhet. Përtej fjalive të gjata, zemra ime veç një fjalë flet: FALEMINDERIT E MIRËNJOHËS PËRJETË!

Unë gjithmonë e kam parë Ferizajn si shtëpinë e madhe që vë themele, ngre shtat e ndërtohet çdo ditë, me njerëz punëtorë, të zellshëm, të guximshëm e vizionar për të ardhmen.Palëkundshëm, gjithë jetën time, kam besuar tek Ferizaj dhe potenciali që mban në shpirt dhe shpreh me vepra çdo ferizajas.I kam besuar, mbështetur dhe i duartrokas veprat e ferizajasve që kaherë mbizotërojnë në gjeografinë kombëtare e lartësohen përtej saj.Në sytë e mi, Ferizaj ishte gjithnjë përtej politikës, ferizajasit asnjëherë nuk i pashë me ngjyrat partiake ku përkisnin apo jepnin përkrahjen.Ata ishin e janë të gjithë, familja jonë e madhe, qytetarë që i përkisnim të njëjtit qytet e fshat, ndanim të njëjtin fat, lidhnim pashkëputshëm të ardhmen bashkë.Bashkë ecëm, të bashkuar ia dolëm, ta kemi sot, Ferizajn që krenarë e themi se nga jemi.Qyteti që lindi me ekonomi, frymëzon me punë e jep shembull e shpresë me përkushtimin. Janë ferizajasit punëtorë, është shpirti ndërmarrës që i shquan – identitet krenar e motor që vë në lëvizje çdo ditë, hovet e reja të zhvillimit.Mirënjohje e falënderim përjetësisht, arkitektëve të zhvillimit – bizneseve ferizajase!”, ka thënë Kryetari Aliu

.

Kryetari Aliu, në fjalën e tij ka thënë se besimi qytetarë me 12 Tetor, regjistroi edhe një të veçantë të historisë politike të Ferizajt.

“ Është ky mandati i tretë i pandërprerë qeverisës e më jetëgjati i të parit të Komunës së Ferizajt. Kjo më obligon edhe më shumë, kjo na vë mbi supe përgjegjësi edhe më të mëdha, për të qeverisur edhe më mirë, edhe më mirë, për të gjithë ju, çdo ditë, bashkë me ju. Ne nuk jemi thjesht në garë me vitet, por me veprat që ndër vite shtrihen e i qëndrojnë palëkundshëm atyre, çmohen e i shërbejnë ferizajasve si dëshmi se vizioni nuk është thjesht fjalë goje, as dekor programatik politik, por Ferizaj në tjetër nivel, realitet i prekshëm, i përdorshëm, çdo ditë.Ferizaj i sotëm nga ai i fund vitit 2017, është larg jo vetëm si vit kalendarik. E gjithmonë pranishmja dëshmitare është kujtesa e ferizajasve. Kudo shihet, ndihet në çdo hap. Energjia që rrjedh vrullshëm në kapilarë e i jep hov zhvillimit të Ferizajt.Ne ndoqëm ëndrrën që ndër breza bëri gjumin, me guximin që merrte krahë e zemër tek secili ferizajas, gati për zgjimin që priste kaherë Ferizaj. Për ta këndellur, për ta ngritur në këmbë e për të zënë karrigen që meriton, që i takon, në tryezën që mbledh sukseset”, tha Aliu.

Numri një i qytetit, Agim Aliu, tha se Ferizajn e presin vepra të reja.

“Është e pashtershme energjia jonë. Është i pandalshëm hapi ynë. Me ekipin tim, veçse kemi vënë kornizat e një dritareje të re të investimeve që sheh qartë perspektivën e qytetit, zhvillimin e tij, për ta bërë edhe më të begatë, edhe më të pasur, edhe më krenarë, me punën tonë. Bashkë me ju, anëtarë të legjislaturës së re të Kuvendit të Komunës, na presin pafund punë, nisma, ide e projekte për t’i përkthyer në dobi, lehtësi e mundësi për ferizajasit. Andaj përveç e përtej urimit për ju, ju ftoj të jemi bashkë, për t’i dhënë atë çfarë meriton, pret, i takon Ferizajt”, ka potencuar ai.

Ai foli edhe për një sërë projektesh që pritet të realizohen gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar, duke vënë theks të veçantë tek zhvillimi ekonomik, kultura, rinia, arsimi, bujqësia, shëndetësia dhe shërbimet publike, si dhe shumë iniciativa të tjera me rëndësi për qytetarët ferizajas.

“Ferizaj është mbi të gjithë dhe mbi të gjitha. Qyteti që lindi me ekonomi, ngriti shtatin me udhën e hekurt që gjarpëron në mes të zemrës së tij, ka një histori, ka një kujtesë, ka një krenari që shumëfishohet e ngjit majat çdo ditë.Çdo udhë rrëfen historinë e saj. Ky qytet u ngrit e mbijetoi me të panumërta sakrifica, me lavdinë që shkroi kronikën krenare të historisë sonë, me guximin e grave e burrave sypatrembur në betejat epike të shekujve të shkuar, kryengritje gjithëpopullore, me luftën e lavdishme çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me heronjtë, dëshmorët e martirët – luftëtarët e lirisë – dalzotësit e atdheut– yje të përjetësisë së lirisë sonë.Gjithsecilit nga ne, historia i vë mbi supe, amanetet ndër breza. Ia kemi borxh së kaluarës krenare, ta ndërtojmë të tashmen më të mirë e të ardhmen dritëplote.Secili nga ne mund ta bëjmë këtë. Të bashkuar, pa dallim, të lidhur për një qëllim.Ferizajasit nuk u përkulën kurrë, për asnjë çmim, para askujt. Ishin në ballë gjithnjë. Kurdoherë, gati për sakrificë.Ferizaj është lavdi, me heroizëm ndër epoka – zë vend sublim në faqe të historisë. Përjetësisht – kujtojmë lavdinë e bashkë ndërtojmë të ardhmen!Mijëra familje kanë lidhur fatin me këtë qytet. Mijëra foshnje i japin buzëqeshje e jetë. Çdo i ri thur të ardhmen e ndërton veten në këtë qytet.Siç kemi lidhur kontratën me qytetarët dhe për këtë kemi dhënë dëshmitë se e mbajmë fjalën, bashkë ia dalim – Do ta bëjmë Ferizajn e Gjeneratës Tjetër, Ferizajn në Tjetër Nivel, Ferizajn me mundësi për të gjithë”, ka përfudnuar Kryetari Aliu.

Për më shumë detaje, mund të ndiqni videon e plotë të fjalës së Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, të mbajtur gjatë seancës inauguruese të ditës së sotme.