AAK në përfundim të listës së kandidatëve për këshilltarë komunal. Zgjedhjet lokale po afrohen dhe partitë politike kanë filluar të caktojnë kandidatët që do të garojnë për kryetar komune dhe të përgatisin listat e kandidatëve për këshilltarë komunal.
Ashtu si partitë tjera, njejtë po vepron edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Ferizaj. Kryetari i këtij subjekti, Xhavit Zariqi, duke konfirmuar se do të jetë kandidat i kësaj partie për kryetar komune tha se lista me emrat e kandidatëve për Asamble komunale është kompletuar 90%.
“Sikur çdo subjekt politik që merr pjesë në zgjedhje edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dega në Ferizaj, është në vlugun më të madh të përgatitjeve për fillimin e një fushate të mbarë, jemi në përfundimin e listave për kandidatë për Asamblenë komunale dhe besoj që në fund të kësaj jave do të përmbyllet ajo listë dhe dihet saktësisht se kush do të garoj edhe pse dihen mbi 90% e emrave që do të jenë në garë për Asamble komunale nga Aleanca”,tha Zariqi.
E, ata që kanë shprehur ambicie për të qenë pjesë e listës së kandidatëve për këshilltarë komunal nga AAK-ja kanë pasur një kusht për ta përmbushur.
“Ka qenë një kriter jashtëzakonisht rigoroz, është kërkuar nga secili kandidat mashkull, që pretendon të garoj, të plotësoj një listë me 250 nënshkrime me emër, mbiemër, me të dhëna personale të secilit person që i premton atij se do t’ia jep votën dhe nga ana e femrave kandidate 200 emra të plotësohen me të dhëna personale të secilit dhe me nënshkrimin e atij personi që i premton se do ta votoj. Ky kriter ka qenë vendim i kryesisë së degës, është miratuar unanimisht, është pranu nga ata që ka qenë pretendent për të kandiduar dhe nga pjesa dërmuese është pranu”, theksoi Zariqi.
Në degën e AAK-së në Ferizaj thanë se ende nuk kanë filluar të punojnë në dizajnimin e fushatës zgjedhore, por njoftuan se do të hartojnë një strategji, e cila sipas tyre, do të bëj që të ketë ndryshime në Ferizaj, transmeton Televizioni Tema.
Must Read