U promovuan si një projekt që do të sjellë siguri në Ferizaj dhe përmes 102 kamerave do të përcjellen rastet dhe do të kontribuojnë në zvogëlimin e krimit në Ferizaj.
Por doli se këto kamera nuk po e kryejnë funksionin për të cilin janë vendosur. Rezolucioni i dobët i tyre ka bërë që këto kamera të jenë funksionale vetëm gjatë ditës ndërsa natën janë vetëm dekor.
Rasti i plaçkitjeve të disa bizneseve të cilat ndodhën kohëve të fundit në Ferizaj, edhe pse kjo ndodhi para kamerave, për shkak të rezolucionit të dobët nuk mund të dallohet asgjë.
Për këtë kanë reaguar edhe pronarët e bizneseve të dëmtuara të cilat i thanë FerizajPress se bizneset e tyre edhe pse janë në pjesët ku monitorohen nga kamerat ato u plaçkitën sikur të ishin në një errësirë absolute pasi nga kamerat, për shkak të rezolucionit të tyre nuk mundë të identifikohet asgjë.
Burime të sigurta bëjnë të ditur se këto kamera janë të cilësisë së dobët edhe nuk mirëmbahen por ka raste kur këto kamera me ditë nuk funksionojnë.
“Rast ishte edhe në rrugën “Rexhep Bislimi” ,gjithnjë sipas burimit të sigurt, kur me ditë të tëra nuk është regjistruar asgjë.Nuk është regjistruar as rasti kur në këtë rrugë në katër korsitë bëhen gara me automjete dhe për shkak se kamerat nuk punonin asgjë s’është regjistruar”,ka thënë ky burim.
Sipas drejtoreshës së Shërbimeve Publike,Mimoza Fazliu, kamerat në qytet janë vendosur sipas kontratës.
“Operatori ka vendosur kamerat sipas kontratës dhe këto ditë pritet formimi i një komisioni për pranimin teknik. Pas pranimit teknik sipas kontratës operatori është I obliguar që për një vit të bëjë edhe mirëmbajtjen” tha Mimoza Fazliu për FerizajPress
Në anën tjetër drejtori i Policisë Rajonale të Ferizajt ,Gazmend Hoxha tha se kamerat e vendosura në qytet kanë ndihmuar që policia në zbulimin e shumë rasteve.
“Kamerat janë goxha cilësore dhe na kanë ndihmuar bukur shumë në zbulimin e rasteve deri më tani” tha Gazmend Hoxha.
Hoxha tha se kamerat kanë problem në regjistrimet gjatë natës.
“Kamerat kanë problem kur reflektojnë dritat e automjeteve.Por në shumë raste fal faktit se kamerat mbulojnë njëra tjetrën ekziston mundësia që të arrihet qëllimi i vendosjes së tyre” ka thënë Hoxha.
Drejtori i Policisë, Hoxha, tha se pavarësisht kamerave policia ka hartuar një plan operativ dhe ka shtuar edhe 20 policë në trafik dhe për siguri të cilët po monitorojnë qytetin gjatë sezonës kur edhe ka një fluks më të madh të pjesëmarrësve në trafik.
Bazuar në kontratën të cilën komuna e ka nënshkruar me operatorin shihet se në qytet janë vendosur kamera me rezolucion 8 MP, 3 MP dhe 2 MP.
Por njohës të kësaj fushe i thanë FerizajPress se për një regjistrim gjatë natës do të ishin të mjaftueshme kamerat mbi 2 MP e ato që kanë një rezolucion më të lartë do të jepnin pamje të qartë.
“Të gjitha kamerat të cilat kanë një rezolucion mbi 2 MP janë mjaftë kualitative për regjistrime gjatë natës. Ndërsa ato me 8 MP kanë një rezolucion që mundë të dallohet edhe ngjyra e syrit” tha ky njohës i kësaj fushe.
Ferizajpress ka siguruar foto nga rasti i plaçkitjes së “Plus Marketit” e në të cilat edhe pse është pjesë e ndriçuar nuk mundë të dallohen tabelat e makinës e cila u shfrytëzua për plaçkitje.
Çfarë janë kamerat e vendosura në qytetin e Ferizajt?
A janë vërtet ato që do të duhej të kryenin misionin e dedikuar dhe a janë të kualitetit të kërkuar (apo vetëm tiketat e tyre) duhet që ekipe profesionale të japin mendimin e tyre.
Se çfarë është kualiteti i fotografive të këtyre kamerave mund të shihet edhe nga fotot që ka siguruar FerizajPress.com