Ecim një rrugë të vështirë me baltë, drejt rrugës kryesore të fshatit për të arritur një shtëpi të vogël me tulla.
Një burrë në moshë mesatare qëndron në fund të një oborri të mbuluar nga rrënjë të gjata dhe mobilje. Derisa e fshin djersen nga balli, ai e lyen me të bardhë një depo të vogël.
“Është tragjedi”, thotë bujku Fehmi Maliqi, derisa ulet në një stol që lëshon zëra thua se po thehet.
Ai e thotë këtë për nipin e tij, që është i zhdukur prejse është larguar nga zona e varfër në fushat e varfëra të Kosovës lindore.
Në vitin 2014, 27 vjeçari Alejhim Maliqi i kishte thënë familjes së e ka fituar një bursë për studime në Universitetin e njohur Al Azhar në Kajro. Ai më pas e mori bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij dhe u largua nga vendi.
..Për të mos u parë apo dëgjuar më.
Heshtja ka zgjuar dyshimin e të afërmëve nëse ai po lufton në Siri. Ky shqetësim është konfirmuar kur autoritetet e Kosovës në muajin maj e kanë lëshuar një urdhër arrest ndërkombëtar për të.
Fehmiu e mban kokën me duart e mbuluara me ngjyrë. “Nuk kemi më ndonjë kontakt me të, kështu që nuk e dimë nëse është i gjallë apo jo”, thotë ai.
Qeveria vlerëson se Alejhim Maliqi është në mesin e 300 njerëzve nga Kosova që kanë shkuar në Lindje të Mesme për të luftuar përkrah grupeve ekstremiste, duke e bërë kështu Kosovën me gati 2 milionë banorët e tij një nga kontribuesit më të mëdhenj në Evropë për këto organizata.
Rreth 50 xhihadistë të radikalizuar në Kosovë janë vrarë gjatë luftimeve në Siri apo Irak, derisa 120 janë rikthyer në Kosovë.
Fehmiu kujdeset për shtëpinë e familjes derisa të afërmit e tjerë janë larguar për në qytetin e Gjilanit. Vëmendje e mediave ishte bërë e pamundshme për tu përballur.
Fehmiu e përshkruan Alejhimin si njeri “të mirë, të respektueshëm dhe inteligjent”.
“Ai e donte shkollën, ishte nxënës i shkëlqyeshëm. Ka qenë person i mirë”.
Medreseja radikale
Xhaxhai i tij thotë se rruga e Alejhimit drejt radikalizmit ka filluar kur e ka përfunduar shkollën fillore dhe pas regjistrimit në një medrese, apo shkollë fetare në Gjilan ku e ka studiuar Kuranin për disa vjet.
Alejhimi ishte i detyruar të shkojë në Medrese sepse familja nuk kishte mundësi financiare ta dërgonte në shkollë të mesme, thotë Fehmiu.
Medreseja ishte gratis ndërsa Alejhimit i është dhënë një dhomë në konviktin e shkollës si dhe para dhe rroba.
Shkolla udhëhiqej nga Zeqirja Qazimi, një imam famëkeq i cili më 20 maj është dënuar me 10 vjet burg pasi është shpallur fajtor për rekrutimin e të rinjëve nga Kosova për të luftuar përkrah militantëve të grupit radikal, Shteti Islamik në Siri.
Në pjesën e fundit të vitit 2014, autoritetet e Kosovës kanë mbyllur 14 organizata humanitare, përfshirë edhe atë ku Alejhimi mbante mësimin fetar, pasi dyshohej se kanë lidhje me grupe ekstremiste islamike.
Sipas një ligji të ri, Kosova mund të burgos deri në 15 vjet qytetarët e saj nëse marrin pjesë në luftëra të huaja.
Por, pak njerëz janë akuzuar ndërsa shumë janë lënë të lirë.
Dhjetëra organizata humanitare që kanë punuar fshehtas dhe medreset e financuara nga Arabia Saudite dhe vendet e tjera të Gjirit operojnë në tërë Kosovën dhe promovojnë një version ekstrem të Islamit.
Fondacionet humanirate akuzohen se iu shpërlajnë trurin të rinjëve nga Kosova duke i rekrutuar ata për grupet ekstremiste jashtë vendit.
Fondacionet nga Lindja e Mesme kanë abuzuar me të varfërit, komunitetet rurale si Busavata që neglizohen me të madhe nga qeveria dhe ku papunësia mund të arrij deri në 50 %, duke i bërë kështu të rinjët si cak i lehtë për indoktrinim.
Ideologjia ultrakonservative duket që në Busavatë ka fituar terren.
“Të rinjtë nuk kanë çfarë të bëjnë tjetër”, thotë Fehmiu, derisa bën me gisht drejt xhamisë kryesore, ndërtesa e vetme e re në tërë fshatin.
“Ata janë të varfër dhe kështu, për të kaluar kohën shkojnë në xhami për tu lutur”, thotë më tej ai.
“Të gjithë jemi të turpëruar”
Pas studimeve të kryera në medresenë në Gjilan, Alejhimi është kthyer në Busavatë ku është bërë imami i fshatit. Ai ka punuar si hoxhë për gjashtë vjet.
“Atëkohë e vërej se ai ka ndryshuar”, thotë Abedin Maliqi, drejtori i shkollës fillore “Hasan Prishtina” në të cilën ka qenë nxënës edhe Alejhimi.
“Ne mund ta vërenim se ai është bërë me ekstrem”, thotë ai.
Alejhim e ka mbajtur një mjekërr të gjatë ndërsa ka mbajtur ligjerata të ashpra në xhaminë e fshatit, ku ai ka folur për ligjet e sheriatit, përfshirë edhe ndalimin e plotë të alkoolit dhe mbulimin e detyrueshëm të grave.
“E doja shumë sepse ishte fëmijë shumë i mirë”, ka thënë Abedini, një burrë i shkurtë me trup në moshë nga fundi i të 50-ve.
“Jam i befasuar që një fëmijë si ai ka përfunduar aty ku ka përfunduar. Mendoj se ka qenë viktimë”, thotë drejtori në zyrën e tij.
Abedini bën me gisht drejt një dollapi të mbushur me trofe dhe medale, shumica e të cilave janë fituar nga Alejhimi, të cilin drejtori e quan “nxënësi i tij më i mirë”.
“Sot, ai është në një gjendje që të gjithëve na vjen turp”, thotë ai derisa zgjatet në karrikën e tij gati të thyer.
“Ai vidhte dardha”
Para tre vjetësh, Alejhimi i kishte kërkuar ndihmë babait të tij për të udhëtuar drejt Egjiptit për studime.
Babai i tij e kishte shitur lopën e vetme, të vetmën pasuri të familjes, në vlerë rreth 900 dollarë me idenë se po e ndihmon djalin për shkollim.
Abedini thotë se varfëria dhe dëshpërimi e kanë krijuar mundësinë për “manipulimin” e Alejhimit nga fondacionet radikale islamike dhe medreset që janë ende aktive në këtë zonë.
Ai e kujton një ngjarje nga fëmijëria e Alejhimit që ende e trishton atë: “Ai vidhte dardha nga shtëpia ime për t’i shitur që me paratë e fituara të vlej fletore për shkollë”.
“Kur mendoj për Alejhimin, më dhemb zemra”, thotë ai derisa ecën korridoreve të errta të shkollës.
“Nëse do të mundja, do të ulesha dhe do të bisedoja me të”, thotë Abedini. Ai ndalet përkohësisht për të fërkuar sytë me mëngen e këmishes dhe shton: “por nuk e dij se si ta gjejë atë apo nëse është ende gjallë”./rel