Kosova po përjeton vazhdim të degradimit në të gjitha fushat që, sipas analistëve, është pasojë e vendosjes së njerëzve me ndikim politik në pozitat udhëheqëse institucionale dhe përjashtim i profesionistëve.
Degradimi i sistemit arsimor, shëndetësisë, organeve të drejtësisë, administratës…, i faturohet emërimit politik të njerëzve në pozitat udhëheqëse të shtetit. Duke përjashtuar ministrat, të cilët marrin pozitat si staf politik, pjesa tjetër e udhëheqjes së departamenteve, bordeve, institucioneve arsimore, shëndetësore…, merr detyrat pasi që ka marrë fillimisht “bekimin e partisë”.
Qeverisja në këtë formë sipas analistëve dhe opozitës nuk është risi, por ka çuar vendin drejt “varrosjes” së sistemit të vlerave, moszhvillimit ekonomik, rritjes së varfërisë, ikjes jashtë vendit të qytetarëve, akuza ndaj mjekëve për vdekje të pacientëve…
Deri më tani Kosova ka kaluar nëpër pesë palë zgjedhje qendrore dhe gjashtë lokale, por sikurse tek deputetët, të cilët japin fjalën e fundit për legjislacionin në vend e kësaj legjislature dhe asaj të mëparshmes, udhëheqësit e nivelit lokal, madje duke përfshirë edhe ish-kryeministra e zëvendëskryeministra, formimi i tyre mbetet brenda një diplome fakulteti që kryesisht dominon ajo e fushës së letërsisë, pastaj e juridikut, e ekonomikut, e bujqësisë./Zëri