Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa dhe drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë e Sportit, Naim Ferati, pritën sot paradite pjesëmarrësin e Lojërave Olimpike 2016, çiklistin ferizajas Qëndrim Guri dhe zyrtarë të federatës së çiklizmit.
Me këtë rast kryetari Svarqa inkurajoi çiklistin Qëndrim Guri për përfaqësim të denjë të sportit kosovar dhe ferizajas në Lojërat Olimpike, të cilat gjatë gushtit mbahen në Rio de Zhaneiro të Brazilit.
“Është nder i madh që Ferizaj përfaqësohet në këtë ngjarje të madhe botërore me një sportist si Qëndrim Guri. Ne e mbështesim këtë sportist, ashtu siç e kemi mbështetur edhe më parë duke participuar në bursën që ka marrë nga Komiteti Olimpik i Kosovës. E inkurajojmë që të japë gjithëka nga vetja për një paraqitje sa më të dinjitetshme të sportit tonë në një konkurrencë kaq të madhe”, tha kryetari Svarqa.
Çiklisti Qëndrim Guri u shpreh mirënjohës për këtë pritje dhe inkurajim nga autoritetet komunale dhe i gatshëm të përdorë të gjitha energjitë dhe shkathtësitë e tij për të dalë sa më mirë në garat olimpike.
“Po stërvis intensivisht, që të jem sa më i përgatitur. Shpresoj se do të jem në nivel të detyrës. Të shohim se si do të rrjedhin garat. Sidoqoftë, është një përgjegjësi e madhe për mua”, u shpreh Guri.
Kurse trajneri i tij dhe njëkohësisht kryetar i Federatës së Çiklizmit të Kosovës Avni Nuha, konstatoi se gjykuar sipas intensitetit të stërvitjeve dhe shkathtësive që ka treguar çiklisti Qëndrim Guri, kemi arsye të besojmë për një përfaqësim të denjë të tij në garat më të famshme sportive në gjithë rruzullin.
Është hera e parë që një çiklist kosovar merr pjesë në Lojërat Olimpike.