Në nderim të veprës së dëshmorit Elhami Hasani u zbulua edhe një pllakë përkujtimore në vendin e tij të rënies.
Me homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Ferizaj janë përkujtuar dëshmorët Hajriz Muhadini dhe Elhami Hasani në 17 vjetorin e rënies. Familjarë të tyre me këtë rast thanë se ndjehen krenar me veprën e tyre, por nuk fshehin edhe pakënaqësitë me zhvillimet e pasluftës kur veprat e tyre po harrohen në disa raste.
Ndërkaq për të nderuar veprën dhe sakrificën heroike të dëshmorit Elhami Hasani bashkëluftëtarë të tij dhe strukturat komunale zbuluan një pllakë përkujtimore në vendin e quajtur kodra e Zymberit në fshatin Jezerc.
Bashkëluftëtarët e tij me këtë rast e përshkruan këtë dëshmor si një trim të pashembullt dhe luftëtarë me epitete të larta.
Të pranishmit në këtë manifestim i ka përshëndetur edhe kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt Faruk Guri. Ai ka vlerësuar tejet lartë sakrificën e të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës.
Pllaka përkujtimore e ngritur në fshatin Jezerc u bë e ditur se u ngrit nga iniciativa e bashkëluftëtarëve të dëshmorit Elhami Hasani i cili u tha se është lënë anash gjatë këtyre viteve të pasluftës.