Ka nisur sot mbledhja e nënshkrimeve për peticionin “Për një Ferizaj pa Urosevac”, një nismë qytetare që synon t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës me kërkesën për shfuqizimin e përdorimit zyrtar të emrit “Urosevac” dhe përdorimin e vetëm të emrit “Ferizaj” në të gjitha dokumentet dhe komunikimet zyrtare të institucioneve.
I pari që nënshkroi peticionin ishte kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i cili tha se komuna e mbështet këtë nismë, duke e cilësuar atë si vendosje të drejtësisë historike. Ai shtoi se kjo nismë duhet të shërbejë edhe si shtysë për institucionet qendrore që të shqyrtojnë emërtimet e vendbanimeve në Kosovë.
“Është një drejtësi, sepse Ferizaj ka lindur 153 vjet më parë me emrin Ferizaj, ndërsa emri Urosevac është vendosur nga administrimi i dhunshëm pas vitit 1912… le të shërbejë ky peticion, le të shërbejë kjo nismë nga Ferizaj që institucionet e nivelit qendror të formojnë komisione profesionale, komisione të kësaj çështje në mënyrë që pastaj të vënë në diskutim dhe në vendimmarrje të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, deklaroi Aliu.
Iniciatori i peticionit, Bashkim Fazliu, tha se peticioni synon largimin e emrit “Urosevac” nga përdorimi zyrtar, mirëpo që nuk është drejtuar kundër asnjë komuniteti.
“Sot është një ditë historike për qytetarët e Ferizajt, ku duke shfrytëzuar një të drejtë demokratike kemi nisur peticionin drejtuar Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e përdorimit zyrtar të emrit Urosevac. Njëkohësisht kërkojmë që në të tri gjuhët – shqip, serbisht dhe anglisht – të përdoret vetëm emri Ferizaj në të gjitha dokumentet, tabelat, regjistrat, aktet ligjore dhe komunikimin zyrtar të Republikës së Kosovës. Ky peticion është me vullnetin e lirë të qytetarëve të Ferizajt dhe nuk ka të bëjë asgjë kundër asnjë komuniteti. Këtë peticion e kanë mbështetur të gjitha partitë politike në Ferizaj, si dhe partitë e komuniteteve joshumicë. Ka një unitet të plotë në këtë kërkesë”, u shpreh ai.
Fazliu tha se presin të mbledhin të paktën 20 mijë nënshkrime brenda rreth dy javësh, ndërsa shtoi se afati mund të zgjatet në varësi të nënshkrimeve.
Ndërsa edhe kryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj, Fatbardha Zogaj Reka, u shpreh se e mbështesin këtë nismë.
Mbështetje për peticionin shprehën edhe qytetarët e pranishëm.
Kryetari i fshatit Pleshinë, Sabedin Mustafa, tha se nisma është e vonuar dhe se pret një numër të madh nënshkrimesh.
“Shiko, qysh më mirë kjo nismë u bë. S’ka qysh më mirë. Pse me na me bë këtë padrejtësi qysh prej me dekada? Ne s’na duhet kjo gjë. Besoj mos është… tash edhe diaspora këtu pari se besoj që nuk do të zgjasë shumë. Do ta nënshkruajnë, do t’i mbledhim diku mbi 30.000 nënshkrime edhe tash që ta drejtojmë drejt deputetëve, Kuvendit të Kosovës dhe me heq këtë padrejtësi që ju ka bë Ferizajt”, tha Mustafa.
Qytetari Lumni Salihu e cilësoi peticionin si një iniciativë të drejtë.
“Është një iniciativë e mirë e, e këtij grupi që ka filluar që të mbledhë nënshkrime për emërtimin e qytetit Ferizaj e jo Uroshevac. Sepse, emrin Uroshevac ja kanë lënë pushtetarët serbë, të cilët kanë sunduar me qindra vite këtu në Ferizaj. Edhe Ferizaj është emër i vjetër, më pastaj strukturat politike të atëhershme të Serbisë e kanë lënë emrin Uroshevac. Unë mendoj se duhet të ketë ndikim sepse, origjinaliteti i këtij emri të qytetit të Ferizajt është Feriz”, deklaroi ai.
Ndërkaq, qytetari Ramadan Miftari u shpreh optimist se peticioni do të ketë sukses.
“Për këtë gjë s’bën as me bë pyetje se kjo duhet me u heq patjetër. Dalje me siguri ka me pas. Po veç kjo, këtë punë që unë e di që ka me u heq 100%, s’ka asgjë se dalje duhet patjetër me dalë”, tha Miftari.
Sipas organizatorëve, pas përfundimit të procesit të mbledhjes së nënshkrimeve, peticioni do t’i dorëzohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim.

