Emali i siguruar nga Lapsi.al zbulon se amerikanët kërkojnë anulimin e tenderit për portin e ri në Porto Romano dhe ndërtimin e një porti më të madh.
Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga afati përfundimtar për shpalljen e ofertës për portin e ri të Durrësit në Porto Romano, në adresën elektronike të kryeministrit Edi Rama ka mbërritur një mesazh që e këshillon të bëjë një hap pas.
Emaili është dërguar nga Grant Van Cleve, kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri. Për nga temat që trajton, për nga interesat që merr në konsideratë dhe për nga mënyra si ndërton argumentin, mesazhi shkon përtej opinionit të një sipërmarrësi. Ai prek zhvillimet infrastrukturore dhe ekonomike rajonale, duke vënë theksin tek siguria dhe tek logjistika strategjike e NATO-s.
Për nga përmbajtja, mesazhi duket qartë se është konceptuar në qarqe strategjike në Uashington dhe lë të kuptohet për një oferte që drejtues të vendeve të vogla s’mund ta refuzojnë.
Projekti për portin e ri në Porto Romano lindi si një nevojë pas projektit të “Durrës Marina”, ku biznesmeni arab Muhamed Alabbar u soll nga Dubai për të ndërtuar një kompleks kullash dhe një marina luksoze, që parashikon zhvendosjen dhe prishjen e portit ekzistues.
Por në panoramën që skicon Grant Van Cleve, ndërtimi i një porti të ri nuk është një vendim që merret me një të rënë të lapsit, si pjesë e një pazari momental.
Në emailin që ndodhet në postën elektronike të kryeministrit Rama dhe që botohet ekskluzivisht nga Lapsi.al amerikanët e shtrojnë çështjen në një tjetër nivel strategjik, duke e titulluar mesazhin: “Porto Romano – Një vendim që merret një herë në shekull për pozicionin strategjik të Shqipërisë në Evropë. Dominimi strategjik i lidhshmërisë së Shqipërisë”.
Emaili është dërguar jo vetëm për kryeministrin Edi Rama, por edhe për ministrin e ri të Energjisë Enea Karakaçi, për ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi, si dhe për drejtorin e portit ekzistues të Durrësit Liburn Aliu, siç shihet edhe në dokumentin më lart.

