Policia e Kosovës sot ka gjetur mallra komerciale të markave të njohura të dyshuara për kontrabandim.
Përmes një njoftimi për media, Policia bën të ditur se mallrat që janë sekuestruar janë të markave të njohura si ‘Nike’, ‘Adidas’, ‘Puma’ dhe të tjera.
Sipas njoftimit, mallrat e kontrabanduara janë gjetur në një depo, garazh dhe shtëpi private në Ferizaj.
“Njësia e Task Forcës policore ka bërë lokalizimin e shtëpisë, garazhës dhe depos ku dyshohej për mallra të kontrabanduara, përfshirë mallra me marka të mbrojtura siç janë “Nike, Adidas, Puma” dhe të tjera. Me urdhër verbal të organeve të drejtësisë pas lokalizimit janë kryer bastisjet të cilat kanë rezultuar me gjetjen e disa mallrave komerciale të dyshuara për kontrabandim, të cilat janë duke u trajtuar sipas procedurave të parapara ligjore”, thuhet në njoftim.
Nga Policia e Kosovës sipas detyrës zyrtare në vend të ngjarjes janë ftuar edhe njësitet relevante nga Dogana e Kosovës dhe Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), për të vazhduar me procedurat e mëtejme, lidhur me sasinë dhe konfiskimin e mallrave të dyshuar të kontrabanduara.