Gjatë ditës së sotme është mbajtur mbledhja e katërt e rregullt e Kuvendit të Komunës së Ferizajt. Mbledhja është kryesuar nga kryesuesi i Kuvendit të Komunës Xhavit Zariqi, ndërkaq ka marr pjesë edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, nënkryetari Lulzim Aliu si dhe drejtorët e drejtorive komunale.
Para asamblistëve raportin vjetor të punës e ka shpalosur Kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu, i cili ka thënë se ndjen kënaqësi e veçantë që ndodhet në këtë seancë për të shpalosur Raportin e Punës për vitin 2021, vit ky që mbyll suksesshëm, ciklin 4 vjeçar të punës në mandatin e parë qeverisës me Ferizajn.
“Them se është kënaqësi e veçantë, është moment krenar, ngaqë janë veprat publike të përshkruara në raportin që keni në duart tuaja, ato që flasin zëshëm, qartë e kuptimplote për ndryshimin e Ferizajt, në 365 ditët e 2021-tës, ashtu siç ishte në 365 ditët e çdo viti të qeverisjes sonë. Edhe viti 2021, barti pasojat e shkaktuara nga pandemia COVID-19. Zaten siç do të barten ndër vite këto pasoja si për autoritetet publike ashtu edhe si vështirësi për bizneset e qytetarët. Por, megjithatë, nëse një vit përmbledhtazi do ta emërtonim, 2021-ta ka emrin – viti i veprave madhore publike e pa më të voglin dyshim, kahu i ri i zhvillimit e ndryshimit plot hov të Ferizajt. Janë dhjetëra projekte, nisma, aksione, qindra bashkëpunëtorë e bashkëpunime me qytetarë, ekspertë, grupe të specializuara në segmente të gjithëllojshme të shoqërisë, ato që kanë bërë të kurorëzohet suksesshëm viti qeverisës 2021.
Nisur që me kryeprojektin “Bashkimi i Qytetit”, që është në fazën e fundit të punëve para përfundimit tërësor, e që ngërthen në vete nënkalimet për këmbësorë dhe vetura në pjesët bosht të trupit të qendrës së Ferizajt, si në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, nënkalimi në rrugën “Liman Rekaj” (Te Plus Marketi), vazhdimin e nënkalimit për këmbësorë me dalje në rrugën “Emin Duraku”, shëtitoren mbi kurrizin e këtij projekti, e nën të, rregullimin e parkingut nëntokësor për vetura me kapacitet prej afro 200 vendparkingjesh. Për të intensifikuar po këtë vit edhe punimet në nënkalimin në fshatin Nikadin, kurorë e cilësisë profesionale e zgjidhje urbane kjo, që çdo ditë, është e dëshmuar se po i jep zhvillim të ri, lehtësi të qarkullimit e mundësi të shtuara, Ferizajt e ferizajasve.
Po kështu, po në këtë plan të investimeve infrastrukturore, përfunduam rregullimin e rrugës me tre shirita qarkullimi dhe rindërtuam trotuarin në rrugën “Ramadan Rexhepi”, për të rregulluar edhe rrethrrotullimin që lidh rrugët “Ramadan Rexhepi” (te Cosmo) me rrugën “Bifurkacioni””, është shprehur Kryetari Aliu, përderisa ka shtuar se vitin që shkoi, nisën punimet edhe të projektit madhor infrastrukturor, atë të rregullimit të vijës rrugore 5.6 kilometërshe me 4 korsi nga Fshati i Vjetër deri në Prelez të Jerlive dhe rikonstruktimi i urës në Bibaj – investim 13.4 milionë euro,
“Për të vijuar me projekte tjera siç është nisja e zbatimit të projektit për ndërtimin e Bulevardit të Ri të Qytetit në rrugën “Agim Ramadani” dhe punimet në asfaltimin e një nga arterieve kryesore rrugore në qytet që është rruga “Cen Dugolli”.
Asfaltuam rrugën kryesore dhe rrugicat në Kompleksin e Varrezave të Reja të Qytetit, gjersa gjatë vitit 2021 riparuam në tërësi gjithë vijën rrugore të rrugës “12 Qershori” në qendër të qytetit”, tha Aliu.
Para asamblistëve numri një i qytetit të Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se janë investuam rreth 700,000.00€ për ndërtimin e mbi 50 kilometrave rrjet të ujësjellësit për fshatrat Sojevë, Dardani, Zllatar, ndërkohë është bërë edhe hapja e pusit për shtimin e sasisë për furnizim me ujë të pijshëm në Kosinë dhe fshatrat përrreth si dhe investuam në shtimin dhe riparimin e sistemit të ujësjellësit për fshatin Greme dhe fshatrat e Grykës së Neredimes.
“Kurorëzuam përgatitjet për nisjen e punëve fillestare për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza – projekt ky prej 40 milionësh euro, pa lënë anash, projektin me dobi të jashtëzakonshme për qytetarët, atë të përfundimit të punimeve në objektin e Fabrikës së Ujit në Talinoc të Muhaxherëve.
Gjithashtu, vitin që shkoi, avancuam punimet në ndërtimin e Stacionit të Ri të Autobusëve në Ferizaj, si dhe punimet në ndërtimin e objektit të ri të KRM “Pastërtia”.
Kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu, është shprehur se gjatë këtij viti janë shënuar rezultate të mirëfillta edhe në fushën të tjera, duke përparuar shërbimet publike për kujdesin dhe sigurinë e qytetarëve.
“Më 2021, vendosëm sinjalistikë moderne rrugore për të rritur ndjeshëm kështu, sigurinë e qytetarëve në trafik, po kështu vendosëm prioritet në disa rrugë të qytetit dhe fshatrave e trotuaret ia kthyem qytetarëve përmes pengesave që vendosëm. Në domenin e financave lokale, gjatë vitit 2021 arritëm të arkëtojmë 6,195,353 euro të hyra vetanake apo 3,475,338 euro ose 67% më shumë të hyrave vetanake sesa periudha e njejtë e vitit 2020.
Në planin e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, arritëm rezultate domethënëse, si fjala vjen, me ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Softaj në bashkëpunim me organizatën “Qatar Charity” si dhe nisjen e ndërtimit të shtëpive të reja dhe krijimin e zgjidhjes së banimi për mbi 50 familje në nevojë në Ferizaj”, tha Aliu.
Gjatë raportimit të tij, Kryetari Aliu, para asamblistëve ka folur edhe për skema të ndryshme që ishin në mbështetje të grave përmes Fondit të Punësimit, ku u ndihmuan dhjetëra biznese të udhëhequra nga gratë dhe që ishin përfituese direkte nga Komuna e Ferizajt, në bashkëpunim edhe me organizatën “HELP” ku përfituan 25 biznese të udhëhequra nga gratë, përmes programit “Gratë ndërmarrëse në Energji”.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, me këtë rast në mënyrë të detajuar ka folur edhe për investimet të tjera të cilat janë bërë në fushën e shëndetësisë, arsimit, bujqësisë, zhvillimit ekonomik, në fushën e inspektoratit, si dhe në kulturë e sportin.
“Janë të shumta projektet tona që realizuam në vitin 2021. Ishin projekte që me plot bindje, me krenari e them se, ishin ato që çuan në një nivel të ri zhvillimin e Ferizajt, duke qenë me punë e projekte, gjatë gjithë vitit, afër qytetarëve të çdo moshe, për ta bërë më të mirën për Ferizajn e bashkëqytetarët tanë.
Sfidat e vitit 2021, bashkë i ndamë, për t’i dhënë zgjidhjen meritore, natyrisht duke u përballur drejtpërdrejt me ato, pa iu shmangur në asnjë çast, sfida që të kaluara së bashku, na forcuan dhe bindën për rrugën e drejtë që kemi zgjedhur ta ndjekim”, ka përfunduar Kryetari Agim Aliu.
Poashtu në këtë mbledhje janë miratuar edhe propozim-vendimet e drejtorit të Drejtorisë së Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit Sabri Murseli të cilat kishin të beninin me këmbimin e disa ngastrave kadastrale të cilat janë pronë private. Këto ngastra janë në fshatin Prelez i Jerlive, Varosh, Dremjak dhe Bablak, ku me vota unanime u vendos që këto pika të rendit të ditës të diskutohen në mbledhjen e Kuvendit të Komunës.
Poashtu është bërë edhe propozim – vendim për plotësimin e vendimit 01. Nr.40 të datës 28.02.2022, propozim-vendim ky ku ishte caktuar komisioni për zgjedhjen e këshillave lokal. Në këtë vendim do të plotësohet vetëm pika 1 e cila ka të bëjë me anëtarët e këtij komisioni, ku do të shtohen edhe tre anëtarë: Sabri Murseli nga ekzekutivi i Komunës, Kenan Gashi përfaqësues i shoqërisë civile si dhe një përfaqësues nga fshati dhe vendbanimet.
Ndërsa, drejtorja e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit Xhemile Murati –Shabani, ka bërë propozim-vendimi për vënien në diskutim publik të Rregullores së Punës së Teatrit “Adriana” në Ferizaj.
E nga ana tjetër drejtorja e Financave Sebahati Ajeti-Sadiku, ka bërë edhe propozimin për bartjen e të hyrave vetanake nga vitit 2021 në vitin 2022. Sipas saj janë gjithsejte 2,172, 078,07 euro, mjete këto që do të barten në kategori të ndryshme ekonomike. Poashtu drejtorja Sadiku-Ajeti, ka bërë edhe raportin financiar për periudhën janar-mars të vitit 2022.