Agjencioni për Zhvillim Rajonal Lindje në bashkëpunim me Drejtorinë për Zhvillim Ekonomik në Ferizaj, kanë mbajtur sesionin informues për të rinjtë dhe bizneset e Komunës në lidhje me skemën e granteve “Programi i Zhvillimit Rajonal të balancuar” PZHRB 2022, Start-up dhe Biznese Ekzistuese (Lot I dhe Lot II).
Ky aktivitet kishte për qëllim të ofrojë informata relevante profesionale aplikuesve potencial rreth procesit të aplikimit për grante për këtë ThpP. Në këtë sesion morën pjesë rreth 40 pjesëmarrës/ aplikantë potencialë të cilët patën mundësinë që të marrin përgjigje dhe sqarime në pyetjet e shumta nga përfaqësues të AZhR Lindje.
Drejtori për Zhvillim Ekonomik, Balton Derguti, inkurajoi përfaqësuesit e bizneseve ekzistuese si dhe atyre që synojnë të fillojnë biznes (të rinjtë dhe të rejat) të shfrytëzojnë mundësinë për aplikim në këtë thirrje duke pasur parasysh se ka vullnet dhe gatishmëri nga Komuna e Ferizajt, respektivisht dikasterit që ai udhëheq si dhe nga AZhR Lindje për të mbështetur aplikuesit potencial përmes konsulencës dhe asistencës teknike gjatë procesit të aplikimit.
Të pranishmeve me një fjalë rasti i është drejtuar edhe Agim Zeka drejtor i Agjencionit për Zhvillim Rajonal Lindje si dhe Valbona Tahiri nga ky agjencion.