Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit në detyrë të Spitalit të Përgjithshëm të Ferizajt, Halit Gërbeshi, pasi i njëjti dyshohet se ka keqpërdorur pozitën dhe ka ushtruar ndikim.
Gërbeshi dyshohet se në cilësinë e personit zyrtar e ka furnizuar veturën e tij private në pompën e derivative “HIB Petrol” në Ferizaj në kuadër të tenderit të spitalit, pa vendim të bordit drejtues të ShSKUK-së.
Në aktakuzë thuhet se i njëjti ka furnizuar veturën e tij të markës Hunday me derivate shtatë herë gjatë periudhës shtator –dhjetor 2021 dhe në këtë mënyrë i ka shkaktuar dëm material buxhetit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj në shumë prej 403,97 euro, me çka dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
I njëjti, në muajin dhjetor të vitit 2021, në pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Spitalit të Ferizajt dyshohet se me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë ka ushtruar ndikim në vendimmarrjen e personit zyrtar, ku si pasojë e këtij vendimi i njëjti ka furnizuar me derivate veturën e tij private me çka ngarkohet për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës kompetente në Ferizaj që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë.