Prokuroria Themelore në Ferizaj së bashku me Policinë e Kosovës dhe Doganën ka mbajtur një konferencë për media pas konfiskimit të mbi 80 kilogramëve her*oinë në Han të Elezit.
Prokurori Shukri Jashari ka dhënë detaje lidhur me aksionin.
“Në terminalin doganor të Hanit të Elezit është arritur të konfiskohet her*oina, distanconi ishte për në Prishtinë. Për momentin janë duke u zhvilluar bastisje në pesë lokacione, gjatë këtij aksioni janë arrestuar shtatë persona ndërsa dy persona janë në kërkim”, ka thënë kryeprokurori i Ferizajt Shukri Jashari.
Ndërsa Reshat Murseli nga Drejtoria e antidrogës në Policinë e Kosovës ka konfirmuar sasinë e drogës së konfiskuar.
“Kemi arritur të konfiskojmë 83.5 kg heroinë, kemi vazhduar me disa bastisje në rajonin e Prishtinës dhe Pejës. Janë konfiskuar edhe dy vetura. Lidhur me këto veprime Drejtoria e Antidrogës falënderon Doganën e Kosovës për bashkëpunim po ashtu edhe Policinë Kufitare”, është shprehur Murseli.