Nga 13 shtatori, në ditën kur edhe parashihet të fillojë procesi mësimor, të gjithë mësimdhënësit të cilët nuk janë vaksinuar do të duhej të paraqesin testin negativ për COVID-19. Nga Ministria e Arsimit thonë se mbi 26 mijë punonjës arsimor janë vaksinuar, dhe se rreth 7 mijë janë ende të pavaksinuar. SBASHK-u u kanë bërë thirrje që të gjithë të vaksinohen.
Mbi 26 mijë punonjës arsimorë janë vaksinuar kundër COVID-19, deri në javën e kaluar, përshirë edhe stafin tjetër administrativo-teknik.
Sipas Ministrisë së Arsimit, deri të premten edhe 7 mijë e 300 punëtorë që punojnë në institucione të arsimit janë ende të pavaksinuar.
Me vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës nga 13 shtatori, kur edhe parashihet të fillojë procesi mësimor, të gjithë punonjësit e institucioneve publike janë të detyruar të posedojnë dëshmi të vaksinimit, ose duhet të paraqesin test negativ kundër COVID-19.
“Deri më datën 26 gusht 2021 kanë qenë të vaksinuar gjithsej 26.359 punonjës arsimorë dhe staf tjetër administrativo-teknik, ku nga ta: 1.10013 të vaksinuar me dozën e parë 2.9046 të vaksinuar me dy dozat; 3.7300 të pavaksinuar. Sigurisht se nga kjo datë të dhënat kanë ndryshuar, mirëpo shifrat me të dhënat e fundit i pranojmë të premten (nesër). Sipas të dhënave të komunave, pjesa më e madhe e punëtorëve të arsimit tashmë janë vaksinuar, ndërsa pjesa tjetër e mbetur janë në proces të vaksinimit. Secila shkollë i ka të dhënat për mësimdhënësit e vaksinuar. Ata që nuk janë të vaksinuar natyrisht se duhet të paraqesin testin negativ ashtu siç e parasheh vendimi i Qeverisë. Me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, fillimi i vitit shkollor është shtyrë për datën 13 shtator. Ministria e Arsimit tashmë e ka finalizuar udhëzuesin, i cili parasheh skenarët e mundshëm varësisht nga situata me pandeminë, për cilin skenar do të vendosin komunat”, ka njoftuar MASHTI.
Me këto masa të marra nga Qeveria po pajtohen edhe nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, të cilët kanë thënë se nuk do ta mbrojnë asnjë mësimdhënës që heziton të vaksinohet.
Derisa Ministria e Arsimit e ajo e Shëndetësisë kanë thënë se kanë përgatitur një udhëzues me skenarët e mundshëm për fillimin e procesit mësimor, por që sipas Jasharit, shkollat ende nuk janë njoftuar se si do zhvillohet procesi mësimor.
Rinor Qehaja, njohës i çështjeve të arsimit, thotë se institucionet shkollore duhet që sa më parë të njoftohen me mënyrën se si do të fillojë procesi mësimor.
Pas përkeqësimit të situatës me pandeminë, Qeveria e Kosovës ka vendosur që procesi mësimor të shtyhet deri më 13 shtator.