Koordinatori i listës “Guxo” në Ferizaj, Balton Dërguti, ka thënë se dega e tyre nuk ka dashur që të jetë bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje në një listë të përbashkët për zgjedhjet lokale.
Ai, në Info Magazine të Klan Kosovës, tha se vlerëson se në këtë mënyrë Lista “Guxo” mbetet pa identitet.
“Në zgjedhje nacionale kemi hyrë në një listë të përbashkët me Vetëvendosjen, për shkak se ishin zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe subjekti jonë politik ishte i sapoformuar dhe nuk kishim kohë ta regjistronim si të tillë dhe u pajtuam që të hymë në zgjedhje pa llogo dhe identitet tonin. U pajtuam që menjëherë pas zgjedhjeve nacionale ta formojmë subjektin tonë politik dhe në zgjedhjet e ardhshme do të kemi subjekt tonin politik. Një gjë e tillë nuk u arrit, edhe pesë muaj pas zgjedhjeve”.
“Ne kemi dalë në përkrahje të Vjosa Osmanit në të gjitha qytetet, përfshirë edhe Ferizajn, pas problemeve që kishim në LDK ku kjo parti ishte bllokuar nga gjeneratat e vjetra dhe nuk po reformohej dhe ne në atë kohë po mendonim se po krijoni një parti me kryetare të partisë Vjosa Osmani e cila tashmë është presidente”.
Por, pse Lista “Guxo” mbeti vetëm iniciativë qytetare dhe nuk është regjistruar ende si subjekt politik?
“Ne kemi kërkuar vazhdimisht pse nuk po regjistrohet dhe askush nuk po na jep një përgjigje të saktë dhe na kanë neglizhuar. Në opinioni qarkullojnë spekulime të ndryshme si ai se ka marrëveshje që mos të regjistrohet qoftë për shkrirje në Vetëvendosje, sepse siç e dini ne tashmë kemi pozita qeveritare dhe ministrat e deputetët janë akomoduar mirë dhe nuk duan të futen në obligime. Nuk kemi asgjë të keq me asnjë subjekt politike, por në zgjedhje duhet të hyhet me identitet ose nuk hyhet fare”.
Dërguti thotë se dega e Ferizajt ka dashur që ta regjistrojë një iniciativë qytetare që në zgjedhje lokale të hynë me identitetin e tyre politik.
“Pas kërkesës për ta regjistruar si iniciativë qytetare në Ferizaj meqë nuk po regjistrohej si subjekt politik një grup i udhëhequr nga disa deputetë janë ngutur që ta regjistrojnë një iniciativë qytetare për shkak se janë frikësuar se po e marrim emrin Lista “Guxo”. Duket se është Haxhi Avdyli dhe Burim Karameta”.
“Sikur këtë regjistrim ta kishin bërë me kohë kjo që po ndodh sot nuk do të ndodhte. Sikur kjo iniciativë qytetare të regjistrohej para datës 30 qershor nuk do të kishim probleme te tilla, se ne kemi qenë të pajtimit që të hymë në një listë zgjedhore me Vetëvendosjen. Qëllimisht nuk është regjistruar para datës 30 qershor se tash nuk ke mundësi më që në fletëvotim të shënojë edhe Lëvizja Vetëvendosje edhe Lista “Guxo” – ose shkrihesh në një subjekt politik ose garon e vetme”.