Ka nisur sot asfaltimi i rrugës që lidhë fshatrat Babush, Bablak, Tërn, me një gjatësi afër 4 kilometra. Fshati Tërn vazhdimisht ka pasur problemin e udhëtimin për shkak të rrugës së paasfaltuar tash e sa vite.
Komuna e Ferizajt në këtë projekt ka investuar 500 mijë euro, ndërsa investimet në këtë fshat nuk do të përfundojnë me kaq, ka njoftuar Drejtori i Infrastrukturës, Arbër Bytyqi.
“Vuajtjeve të fshatit Tërn, Bablak dhe Lobovc sot po u vije fundi me asfaltimin e këtij segmenti të rrugës. Është një projekt që është filluar shumë kohë më parë dhe fatmirësisht sot po përfundohet, po asfaltohet edhe segmenti i fundit Bablak-Babush . Pas përfundimit të këtij segmenti punimet do të vazhdojnë edhe në segmentet tjera që janë paraparë në këtë projekt. Jam i lumtur që pas pritjeve dyvjeçare edhe problemet që kanë qenë rreth ridizajnimit të projektit, Ministria e Infrastrukturës i ka përfunduar. Është një projekt i mirëpritur për banorët e kësaj ane.Përveç këtij projekti, ne do të vazhdojmë edhe me projektet tjera të cilat i kemi paraparë në kuadër të investimeve komunale për këtë zonë. Besojë që me projektet nga Ministria dhe projektet që janë të parapara nga komuna, banorët e këtyre fshatrave do të kenë një infrastrukturë modern” ka thënë Drejtori I Infrastrukturës, Arbër Bytyqi.Edhe kryetari i fshatit, Nazmi Musliu shprehet i kënaqur që sot u realizua një kërkesë e kamotshme e tijë dhe bashkëfshatarëve.
“ Jemi shumë falënderues, nga të gjithë që pas 30 vitesh edhe në këtë fshat po rregullohet infrastruktura. Deri më tani kemi qenë sikur të harruar por besojë që tashmë këto problem nuk do ti kemi dhe pres që edhe pjesa tjetër e rrugës Luboc deri në Koshare të përfundohet.
Rruga që u asfaltua sot lidhë dy magjistralet, Ferizaj-Prishtinë dhe Ferizaj-Shtime.