Gjatë vitit 2020 ka filluar ndërtimi i Stacionit të ri të Autobusëve në Ferizaj në rrugën “Reçaku”. Mirëpo punët në këtë stacion akoma po vazhdojnë teksa përfundimi i këtij projekti pritet të bëhet në fund të vitit 2022.
Drejtori i Infrastrukturës në komunën e Ferizajt Arbër Bytyqi, thotë se stacioni aktual me rreth 500 hyrje-dalje të autobusëve në ditë, po e rëndon komunikacionin në qytet.
“Ne i kemi shqyrtuar dy alternativa. Alternativa e parë është që me të përfunduar sivjet faza e parë e projektit të akomodohemi me kushtet minimale për punëtorët e Stacionit të Autobusëve dhe të fillohet puna në lokacionin e ri, mirëpo jemi vetëm në fazën e negociatave me Stacionion e Autobusëve. Alternativa e dytë është rilokimi pas përfundimit të projektit që shpresojmë të jetë fundi i vitit të ardhshëm”, thotë Bytyqi për Tv Tema.
Bytyqi tregoi për zgjidhjen e mundshme për qytetarët që u bie larg vendndodhja e stacionit të ri të autobusëve.
“Nga fokusi i qytetarëve mund të duket pak larg, por nga qendra është vetëm një kilometër distancë. Për një kilometër nuk është distancë e largët, mirëpo pas përfundimit të projektit ne nuk do ta lëmë me kaq, pavarësisht se vetëm një kilometër është larg. Do të bëjmë analizat për trafikun urban i cili në një fazë të ardhshme besoj se do të jetë i domosdoshëm për qytetin e Ferizajt me rritjen e qytetit e besoj se kjo do të jetë zgjidhja e duhur për Ferizajn”, tha Bytyqi.
Kurse, drejtoresha e Stacionit të Autobusëve në Ferizaj Albulena Çalaj, përmes një përgjigje me shkrim tha se kurdo që përfundohet projekti i Stacionit të ri, ata janë gati të zhvendosen.
“Për stacionin e ri njëherë nuk kemi ndonjë datë ose kohë të caktuar zyrtare kur do të zhvendosemi. Megjithëse ne jemi gati kurdo që bëhet stacioni ne të zhvendosemi. Për këtë edhe nuk kam ndonjë përgjgijie, pasi atje ende po punohet“, tha Çalaj.