Ferizaj 8 maj 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë 
 Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit H.J. 
 shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën 
 penale lëndim i rëndë trupor nga neni 186 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 lidhur me nenin 
 31 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
 Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e 
 procedurës paraprake e Divizionit Penal – Hakile Ilazi, ka vërtetuar faktin se i pandehuri 
 dyshohet se më 7 maj 2021 në një fshatë në Ferizaj, pasi i pandehuri ishte nisur për të 
 shkuar në xhamin e fshatit për të marrë hoxhën, në rrugë e sipër kishte takuar të 
 dëmtuarin D.M dhe dy persona të tjerë, i cili u kishte kërkuar biçikletën, por të njëjtit 
 nuk ia kishin dhënë. I pandehuri ishte bërë nervozë dhe së bashku me djalin e tij kanë 
 sulmuar fizikisht të dëmtuarin, fillimisht duke e goditur me grushte në nofull, pastaj në 
 kokë, fytyrë dhe pjesë të tjera të trupit me ç’rast i dëmtuari ka pësuar lëndime të rënda 
 trupore, për çka ka marr edhe ndihmën mjekësore.
 Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës 
 së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është 
 caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
Gjykata po ashtu vlerëson se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit të 
përcaktuara me KPPRK-në, duke vlerësuar peshën e veprës penale, mënyrën dhe 
rrethanat që dyshohet se është kryer kjo vepër penale,, andaj ekziston rreziku real dhe 
potencial, se po që se i njëjti të gjendet në liri, mund të përsërisë vepra penale të njëjta 
apo të ngjashme.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë 
ekzekutimin e tij.


