24,11,2024

600 vjet e vjetër: Xhamia në Greme që shërbeu si shtab i UÇK-së dhe ballistëve

Must Read

Është fshati më i madh në territorin e komunës së Ferizajt. Objektet e reja të stilit modern kanë zënë vend gjithandej në Greme, edhe duke zbehur paksa ngjyrimin fshatarak që kishte dikur, të krijuar edhe nga mënyra e jetës. Por, derisa e reja po përfshinë gjithçka në mesin e tyre, e vjetra ka mbajtur fort vetën, duke ruajtur historinë e kujtimet me të rëndësishme për shumë banorë këtu, shkruan Lajmi.net.

Në një pjesë më të thellë të fshatit Greme gjendet objekti më i vjetër në këtë fshat. Është kjo xhamia e parë në këtë vend, që themelet iu vunë mbi gjashtë shekuj më parë, për të mos u lëkundur edhe përkundër viteve.

E rrethuar me male, në shikim të parë duket të jetë shtëpi banimi. Por, aty për mbi 600 vjet u kryhen ritet fetare nga banorët e Gremes dhe jo vetëm.

Derisa vitet kalojnë, kujdesi për këtë xhami ka kaluar nëpër duar të ndryshme. Por, kujdesin e vazhdueshëm për këtë objekt fetar po e jep familja Gabrica.

Përkundër vështirësive që mund t’ia sjellë mosha, 75 vjeçari Osman Gabrica vazhdon ta mirëmbajë këtë xhami, për të cilën dha kontribut qysh në fëmijëri.

“Qysh kanë thënë, edhe është ashtu, kjo xhami duhet me qenë 623 vjet e vjetër. Prej që e mbaj mend e ka këqyr gruja e mixhës, tani nana jem, tash unë dhe gruaja… Tash ka që nja 10 vjet e kemi ndërtu xhaminë e re. Por, ngajëherë vim falemi, është në gjendje për mu fal…. Për qef nganjëherë mblidhemi, sepse kanë qenë dy lagje me këtë xhami. Mblidhen, bëjnë mevlud. Bëhen bashkë si më parë, sepse funksionon si ka qenë”, ka thënë ai për lajmi.net.

Pamja e jashtme mund të thotë pak për vitet që kjo xhami i’u bëri ballë. Brendia e saj me shekuj ka mbërthyer rite fetare, biseda e diskutime e disa herë edhe gjallëri të procesit jetësor, përtej riteve fetare.

Pothuajse gjithçka në brendësi të këtij objekti fetar është e përfshirë nga nuanca të ngjyrës së gjelbër, për të ruajtur gjallërinë në pamje gjatë çdo periudhe.

Detaje të vogla artistike kanë gjetur vend gjithmonë, duke u ndërlidhur me thjeshtësinë e tërë hapësirës.

E gjithë kjo hapësirë në periudha të caktuar kishte ndërruar funksion.

“Kjo xhami, edhe me fjalë të mixhës, në Lu ftën e Dytë Botërore ka shërby për ushtri, e kanë shfrytëzu ballistat. Në kohën tonë, në vitin 1992-1993 kjo ka shërby si shkollë. Në vitin 1998-1999 ka qenë si shtab ushtarak. Krejt ky livadh ka qenë me njerëz prej Pejës, Drenicës e ku ta dimë kanë depërtu e kanë dalë në Tetovë”, ka treguar ai.

Përveç rezistencës që i bëri kohës, kjo xhami të veçantë ka edhe diçka tjetër, për dallim nga xhamitë rëndomtë. Në të mungon një pjesë identifikuese e xhamive. Ajo nuk ka minare.

“Nuk ka pas minare. Unë nuk mbaj mend që këtu pas minare. E ka pasë derën për minare, por nuk kanë mund të ndërtojnë dhe ka mbet kështu. Tani u ndërtu një gjami në lagjen ‘Spahia’ tani në lagjen ‘Karameta’ edhe kjo e jona është ndërtu. Katër xhami të reja janë ndërtu”, ka vazhduar rrëfimin.

E, derisa tani është në listën e trashëgimisë kulturore, kjo xhami është rinovuar disa herë, për ta mbajtur të fort vazhdimisht.

“Tash jemi tu e këqyr. Është riparu tri herë prej që e mbaj mend unë. Njëherë i’u ka lëshu kulmi krejt në tokë, në vitin 1958, kur unë i kam pas 11-12 vjet. Ju kom ndihmu. Me sakica kanë punu krejt sepse nuk kanë pasë mjete. Qeremidet e vjetra i ka marrë një katunar këtu. Këtu e kanë ble në vitin 1973, për herë të dytë është punu në këtë kulmin e ri… Me këtë ka mbet prej ’73, tani është punu nganjëherë”, ka vazhduar i moshuari Gabrica.

Për ruajtjen e saj është punuar edhe në vitet e fundit. Për shkak të zgjerimit të mureve, ajo është mbërthyer nga litarë metalikë, për t’i mbajtur ato në këmbë.

Kjo xhami synohet që edhe shumë kohë të jetë pjesë identifikuese e fshatit Greme, për të qenë dëshmi e prekshme e traditës fetare në këtë fshat./Lajmi.net/

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Arrestohen tre persona në Ferizaj, njëri për vjedhje dhe dy për pengim në detyrë të zyrtarëve policor

Më datën 21.11.2024 rrth orës 19:00 kemi pranuar informatën se në rrugën ‘’Dëshmorët e Kombit’’ në Ferizaj, në dy...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img