25,11,2024

Mungesa e buxhetit: Likaj ua shuan shpresat BASHK’ut për mjete shtesë

Must Read

Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj ka thënë se në mungesë të buxhetit do jetë e vështirë që të zbatohet kërkesa e Sindikatës së Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), për mjetet shtesë në shumën prej 100 euro për mësimdhënësit për tre muaj. Ndërsa, deklaroi se edhe gjysmëvjetori i dytë i viti shkollor 2020/21 do të vazhdojë sipas tre skenarëve të paraparë A, B dhe C.

Ai këto komente i bëri me rastin e shpalosjes së aktiviteteve për vitin 2020. Likaj e ka konsideruar gjysmëvjetorin e parë të këtij viti shkollor si të suksesshëm. Referuar gjendjes pandemike, ai tha se 92 për qind e shkollave e kanë mbajtur mësimin në bazuar në skenarin A dhe B.

“Ne kemi nxjerrë një udhëzues për përfundimin e periudhës së parë të këtij viti dhe kemi kërkuar raporte nga DKA-të dhe raportet nuk janë në format të detajuar por bazuar në raportin e inspektoratit në skenarin A mbi 92 për qind dhe disa shkolla në skenarin B kanë punuar, ndërsa vetëm 7.63 për qind e shkollave të paktën një herë kanë kaluar në skenarin C. Përkundër situatës, është një statistikë shumë e mirë edhe pse ne e kemi paraparë në master plan që orari mësimor të jetë i shkurtuar ka shkolla që nuk e kanë respektuar për arsye se i kanë plotësuar kushtet, nuk kanë pasur ngarkesë të madhe me nxënës dhe kanë mbajtur mësim deri në 40 ose 45 minuta dhe të gjithë në skenarin A, asnjë pa kaluar në skenarët tjerë“, theksoi Likaj.

Lidhur me kërkesën e SBASHK-ut për pagesa shtesë prej 100 euro për punonjësit e arsimorë, tha se aktualisht Kosova ka mungesë të buxhetit, dhe se shkurtimet buxhetore në ministrinë që ai drejton e pamundësojnë realizimin e kësaj kërkese, por thotë se këtë qëndrim do ta shpalosë para qeverisë.

“Janë diku 23 mijë arsimtarë dhe 27 mijë është kuota me stafin mbështetës. Kjo kap shifrën 2.7 milionë euro nëse përfshihet periudha nëntë mujore. Është një buxhet i jashtëzakonshëm. Kosova ka mungesë të buxhetit dhe për këtë arsye kërkohet mirëkuptimi i të gjithëve. Edhe unë jam anëtar i sindikatës, do ta shtroj këtë qëndrim, por është e vështirë për shkak të kufizimeve buxhetore”, tha ai.

Likaj tha se përkundër disponimit të gjysmëvjetori i dytë i këtij viti shkollor të vazhdoj në shkolla, mësimi do të vazhdojë të jetë i organizuar në tri skenarët e paraparë.

“Sa i përket skenarëve do të zbatohet në tre skenarët, por disponimi është gjithmonë kthimi në ambientet shkollore. Unë shpresoj se do t’ia nisim në ambiente shkollore dhe varësisht prej zhvillimeve dhe situatës atëherë do të zbatohen skenarët. Sa i përket arsimit të lartë, ato kanë një pavarësi dhe janë përcaktuar për mësim në distancë, përveç fakulteteve teknike, mjekësisë dhe disa fakultete që kanë praktikë profesionale dhe që ua kanë mundësuar studentëve”, tha Likaj.

Gjatë kësaj konferencë për medie, ministri Likaj tha se shkalla e mësimdhënësve të infektuar ka qenë bukur e lartë. Ai tha se E-mësimi deri tani ka arritur t’i realizojë e 5.090 njësi mësimore. Ndër të arritura e kësaj ministrie, Likaj ka përmendur fillimin e procesit për korrigjimin e teksteve shkollore për disa klasë.

Për shkak të situatës me koronavirus, viti shkollor 2020/21 ka filluar me dy javë vonesë dhe gjysmëvjetori i parë ka përfunduar më herët sesa ishte paraparë.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Verona Kryeziu, shpallet fituese e Festivalit “Kosovarja Këndon” 2024

Festat e Nëntorit nisëm me Festën e Këngës Popullore - edicionin e 52-të të Festivalit "Kosovarja Këndon" Me këngë shpirti,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img