25,11,2024

Mustafa: LDK-në e braktisëm në pamundësi të reformimit

Must Read

Lidhja Demokratike e Kosovës në Ferizaj ka mbetur me vetëm 6 asamblistë në Kuvendin Komunal, nga gjithsej 12 sa i kishte.

Burim Karameta, Balton Dërguti, Hesat Shatrolli, Ekrem Mustafa dhe Hysnije Mustafa-Shamolli, tashmë e kanë bërë publike largimin e tyre nga LDK-ja ku në mënyrë të hapur kanë shprehur përkrahjen ndaj iniciativës së Vjosa Osmanit për t’i hyrë garës zgjedhore me listë të veçantë.

LDK-në dje e braktisi edhe asamblistja tjetër nga ky subjekt Yllkë Neziri, e cila iu bashkua partisë së Albin Kurtit.

Ekrem Mustafa që është pjesë e të larguarve nga LDK-ja, thotë se janë munduar që të gjejnë kompromis për të mos e braktisur partinë, por një gjë të tillë nuk kanë mundur ta arrijnë me kryesinë e LDK-së së Ferizajt.

“Ne pas shumë përpjekjeve për unifikim të partisë, disa asamblistë e kemi marrë një iniciativë ku kemi biseduar me shumë aktivistë, anëtarë të kryesisë ku ne hasëm në vesh të shurdhër tek organet e LDK-së dhe ne në pamundësi të reformimit të partisë zgjodhëm ta takojmë Vjosa Osmanin që e ka pas të njëjtën përpjekje për ta ruajtur frymën rugoviane, por edhe ajo sikur ne ka hasur në vesh të shurdhër. LDK është kapur nga individë, anëtarësia mendon ndryshe, ndërsa shumica ndryshe, edhe elektorati e ka mendimin që të përkrahet Vjosa Osmani”, tha Mustafa.

Gëzim Kokollari, i cili më herët ishte pjesë e këtij grupi, siç ishte thirrur  për unifikimin e LDK-së në Ferizaj, tha se është distancuar nga veprimi i ish-kolegëve të tij partiak.

Kokollari thotë se ata i janë nënshtruar një euforie publike, për të cilën do të pendohen dhe do të kthehen përsëri aty ku ishin.

“Për fat të keq shpeshherë njerëzit brenda subjekteve politike nuk po arrijnë atë kompromisin që të jetojnë dhe bashkëveprojnë me konkurrencën politike, kjo vlen edhe për ata që janë brenda partisë politike për t’iu krijuar hapësirë njerëzve të rinj, por kjo vlen edhe për ata që kanë dalë nga subjekti politik pasi do të duhej të bëhej luftë brenda subjektit politik, kjo për të mirë të subjektit dhe qytetarit. Megjithatë, ne secilin prej tyre e vlerësojmë për kontributin që kanë dhënë. Partia politike është aktivitet i lirë politik që LDK nuk ka mekanizëm se si t’i ndalë përtej se t’iu ofroj hapësirën që ua ka ofruar deri më tani”, tha Gëzim Kokollari.

Deri më tani në Kuvendin Komunal të Ferizajt nga LDK-ja kanë mbetur vetëm Muharrem Svarqa, Shkëlzen Selmani, Imri Hashani, Gëzim Kokollari, Bahrije Hyseni dhe Jehona Mustafa, transmeton Televizioni Tema

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Verona Kryeziu, shpallet fituese e Festivalit “Kosovarja Këndon” 2024

Festat e Nëntorit nisëm me Festën e Këngës Popullore - edicionin e 52-të të Festivalit "Kosovarja Këndon" Me këngë shpirti,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img