Për pak ditë Ferizaj me rrethinë u mbulua nga mbeturinat. E gjithë kjo për shkak se ata që përkujdesen për pastërtinë bojkotuan punën me qëllim të realizimit të tri kërkesave.
Kryeshefi i kësaj kompanie Dugagjin Hetemi, tregon se si do të veprojnë karshi kërkesave të punëtorëve.
“Në mbledhjen e bordit të drejtorëve është vendosur që çështja e stazhit të punës të filloj të kompensohet nga data 1 janar e vitit që vjen, si dhe çështja e orëve shtesë, përkatësisht orëve gjatë vikendit që punojnë, është vendosur që në bashkëpunim me sektorin e operativës dhe financave të gjendet një zgjidhje e pranueshme për kompensimin e këtyre orëve edhe pse orët shtesë vazhdimisht janë paguar, ndërsa sa i përket rritjes së pagave bordi i drejtorëve ka vendosur që mos të refuzohet çështja e ngritjes së pagave, por kjo pikë të shtyhet pasi jemi në një situatë jo të mirë financiare në kompani. Siç dihet nga fillimi i muajit mars ne jemi ballafaquar me vështirësi të shumta, me përpjekje të shumta kemi arritur që me i pagu punëtorët fizik dhe shoferët në rend të parë”, tha Hetemi.
Hetemi thotë se janë në dijeni për pagat e ulëta që i kanë punëtorët në krahasim me punën që e bëjnë, por thekson se pagat nuk mund të rriten në këtë kohë kur të hyrat janë shumë të vogla.
“Realisht pagat e punëtorëve fizik dhe vozitësve nuk janë aq ekuivalente me punën që bëhet, ne jemi të vetëdijshëm të gjithë për këtë, mirëpo paga mesatare në kompani është diku 364 euro, paga e përgjithshme mesatare, që i bie se është një pagë e nivelit mesatar, jemi të vetëdijshëm edhe për gjendjen e punëtorëve fizik edhe vozitësve edhe të kategorive të tjera që kanë vështirësi, kanë numër të madh të anëtarëve, kanë obligime kreditore, por rrethanat aktuale na kanë kufizuar”, u shpreh Hetemi, transmeton Televizioni Tema.
Kompania “Pastërtia” ka të punësuar 250 punëtorë.