23,12,2024

Në fshatin Nerodime hapet qendra për fëmijët e moshës 3-5 vjeç

Must Read

Prindërit e fshatit Nerodime të komunës së Ferizajt nuk do ta kenë më problem mungesën e çerdhes në fshat, meqë në shkollën fillore të këtij fshati nga sot është hapur një klasë për fëmijët e moshës 3 deri në 5 vjeç.

Është organizata ”Save the Children” ajo e cila ka mundësuar hapjen e kësaj klase në kuadër të projektit “Zhvillimi dhe kujdesi në fëmijëri të hershme”.

Përfaqësues të kësaj organizate thonë se qëllimi i hapjes së kësaj klase është integrimi i fëmijëve edhe nëpër fshatra.

“Jemi të lumtur që e kemi hapur klasën e dytë, “Save the Children” e ka financuar në tërësi këtë qendër të bazuar në komunitet, ne kemi dhënë mjaftueshëm materiale didaktike dhe lodra pedagogjike, por ne do të mundohemi që mos t’u mungoj asgjë”, u shpreh  Gresa Haxhimusa, koordinatore në “Save the Children”.

“Jam shumë e lumtur që sot po hapet kjo qendër në këtë fshat. Mosha është 3-4 vjeç dhe jemi të lumtur që interesimi ka qenë shumë i madh dhe nuk kemi mundur me i përmbledh të gjithë, numri ka qenë mbi 50 prindër që kanë qenë të interesuar”, theksoi Arta Beqiri, mobilizuese e komunitetit në ”Save the Chlidren”.

Për hapjen e kësaj klase ka kontribuar edhe Drejtoria  e Arsimit në Ferizaj.

“Jemi këtu për të bërë hapjen e dytë sepse ne e kemi bërë hapjen e një klase të tillë në Zaskok, është një qasje që nuk ka munguar nga ne sepse ne në vazhdimësi  thirremi në zhvillimin e fëmijërisë  së hershme dhe në mungesë të çerdheve publike që janë duke na munguar fatkeqësisht atëherë ne jemi duke bërë bashkëpunime të tilla me organizata që ne t’iu krijojmë këtyre fëmijëve për të pasur qasje në arsimim të hershëm”, tha Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Ferizaj.

Hapjen  e kësaj klase për fëmijët e fshatit Nerodime e mirëpritën prindërit.

“Është shumë e qëlluar, fëmijët adaptohen me shkollën dhe fëmijët e tjerë, edukohen më mirë, por problem është transporti, unë 12 kilometra në ditë duhet me i bë pasi duhet me sjell djalin, prap me çu në shtëpi,  prap me ardhë me sjell vajzën e me marrë atë dhe ky problem është për të gjithë prindërit”, theksoi Besarta Agushi, nënë.

 E, drejtori i shkollës “Kostandin Kristoforidhi”, Muhamet Murati, shprehet se mungesa e hapësirës mund të jetë pak problematike për të vegjëlit.

 “E kemi prit mirë, është e mirë çdo iniciativë që vjen, por e vetmja vërejtje është që ne nuk mundemi me iu ofru kushte këtyre fëmijëve siç kërkohet, pasi objekti shkollor është bukur i vjetër dhe nuk kemi mundësi me ua lënë një hapësirë ndaras që mos të na pengojnë neve ose ne mos t’i pengojmë këta, por besoj se do të kemi adaptim nga të dyja palët“, tha Murati.

Në këtë ceremoni u tha se vitin e ardhshëm do të nisë ndërtimi i objektit të ri për nxënësit e kësaj shkolle, ku një hapësirë e veçantë do t’i ndahet edhe kësaj klase./TV Tema

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img