Për dallim prej herave të tjera kur qytetarët që nuk mbanin maskë dënoheshin nga Policia, sot pikërisht ata që përkujdesen për respektimin e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, morën iniciativë që t’iu shpërndajnë maska qytetarëve në sheshin e Ferizajt.
Ky aksion i policisë u realizua nga Shoqata e Grave Police e cila funksionon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës. Maskat që sot u dhuruan nga Policia, janë donacion i Ambasadës Amerikane.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, tha se qytetarët tashmë janë vetëdijësuar për mbajtjen e maskës, mirëpo ka edhe të atillë që nuk po i respektojnë vendimet e qeverisë lidhur me masat anti-covid.
“Në bashkëpunim me Shoqatën e Grave Police dhe Ambasadën Amerikane jemi duke shpërndarë maska për qytetarë për të treguar se edhe ne dëshirojmë të kontribuojmë në këtë situatë të krijuar. Është e kënaqëshme bartja e maskave nga ana e qytetarëve, janë vetëdijësuar mjaft shumë, por ka edhe persona që nuk i përfillin këto vendime, kështu në 24 orëshin e fundit kemi pasur të shqiptuara 63 fletëparaqitje për kundërvajtje, pra për mosmbajtje të maskave si dhe kemi dhënë 43 vërejtje”, tha Gashi.
Qytetarëve ferizajas iu pëlqeu ky aksion i Policisë.
“Mirë është shumë, është aksion shumë i mirë”, tha një qytetar.
“Aksion i mirë e i vlefshëm, meqë është obligative mbajtja e maskave qytetarët duhet t’i respektojnë këto vendime, aksioni është me vend, duhet respektuar uniforma”, tha Ramadan Miftari, qytetar.
“Është shumë i mirë ky aksion sepse jo të gjithë kanë mundësi të blejnë maska“, tha një tjetër qytetar.
Ky aksion i Policisë që është mbështetur nga Ambasada Amerikane, do të vazhdoj në të gjitha qytetet e Kosovës, transmeton Televizioni Tema.