Pasuria natyrore e Ferizajt që shtrihet skaj vargmaleve të Zhegovcit, përkatësisht në pjesën e Rahovicës e Mirosalës do të marr tjetër pamje, me më shumë vizitorë, tash pasi Komuna e Ferizajt ka nisur projektin për rregullimin e shtigjeve të ecjes në një sipërfaqe 3000 metra katrorë, që bën këtë zonë nga më të lakmueshmet për pushim e rekreacion në të ardhmen e afërt.
Për të ndjekur punimet në këtë projekt, doli i pari i Ferizajt, Agim Aliu, drejtorë komunal dhe i pari i drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit në Ferizaj, Zekir Bytyqi. Ai tha se kjo zonë me këtë investim por edhe të tjerat që do të ndodhin në këtë hapësirë do ta kthejnë këtë vend në një pikë të rëndësishme turistike në Ferizaj.
“Ne si Komunë planifikojmë që 3000 metra katrorë të ndërtojmë shtigje për ecje, për këmbësorë si dhe ulëse për vizitorët që vizitojnë këtë zonë turistike. Po besojmë që është një investim i qëlluar, në të ardhmen do të kemi ende investime në këtë zonë pasiqë është atraksion shumë i mirë. Po besoj që investimet e tilla në turizëm rrisin numrin e turistëve jo vetëm të Komunës sonë por edhe më gjerë” tha mes tjerash drejtori i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Zekir Bytyqi.