Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Likaj ka marrë vendim që mësimi plotësues i ambientimit dhe përgatitjes së nxënësve për Testin e Maturës për klasat e 12-ta të mbahet në formën online (mësim në distancë).
Këtë vendim, ministri Likaj e ka marrë pas konsultimeve gjatë ditës së sotme me Ministrinë e Shëndetësisë, ekspertët e IKShP’së, kryetarët e komunave dhe Kolegjiumin e Drejtorëve Komunal të Arsimit
Mësimi plotësues për klasat e 12-ta, sipas këtij vendimi, do të fillojë të Hënën, me datë 15.06.2020, në formën online (mësim në distancë).
Me Kalendarin e përshtatur të përfundimit të vitit shkollor 2019/2020 në rrethana të pandemisë COVID-19 ishte paraparë që të mbahet mësim përgatitor në shkolla, por vendimi për formën online të mësimit është marrë me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik.
Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA’të) janë obliguar që ta zbatojnë këtë vendim deri në një vendim tjetër.