Gjatë një jave në komunën e Ferizajt nuk është shënuar asnjë rast me koronavirus, ndërsa janë shëruar gati se të gjithë personat e infektuar.
Kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu, tha se këto janë lajme të mira për qytetarët e Ferizajt, teksa si lajmin më të mirë Aliu e cilësoi daljen e Ferizajt nga karantina.
“Gjendja në Ferizaj është e qetë dhe kjo qetësi tashmë ka një javë kur ne kemi pasur mostra që janë marrë nga qytetarët që kanë pasur kontakt me të prekurit me Covid-19 që kanë qenë pozitiv, por që fatmirësisht të gjitha këto mostra me kontakt kanë dalë negative dhe ky ka qenë lajmi i parë i mirë, ndërsa lajmi i dytë i mirë ka qenë që edhe ata që kanë rezultuar pozitiv pas dy ritestimeve kanë rezultuar shumica e tyre negativ dhe lajmi i tretë është që është hequr karantina që ne disa herë kemi kërkuar për arsye se ka qenë një lloj pengese për komunitetin e bizneseve të Ferizajt të cilët kanë pasur kërkesa që mallrat dhe shërbimet është dashur të kryhen në komuna të tjera sado që kanë pasur leje megjithatë ka qenë vështirësi dhe kjo është njëra nga gjërat pozitive”,tha Aliu, transmeton Televizioni Tema.
Aliu tha se nëse bëhet kujdes nga qytetarët si Asociacion i Komunave do të propozojnë që fusha e gastronomisë dhe veprimtaritë e tjera për të cilat Ministria ka vendosur të hapen në faza më të vonshme, të zhvendosen në fazen e parë.
“Ne kemi qenë shumë dorëlirë gjatë kësaj kohe në mënyrë që mos të vëmë barrë edhe më të madhe tek veprimtaritë biznesore, por ne do të kërkojmë që të respektohen masat mbrojtëse në mënyrë që të bëjmë ndërhyrjen e intereferimit të dy fazave të mëtutjeshme, fazës 2 dhe 3, pasi ka kërkesa të vazhdueshme nga gastronomia që të zhvendosen më herët, por në rast se ne nuk i zbatojmë masat unë po besoj se mund të bëjmë hap të gabuar dhe disa veprimtari që kanë pasur të fillojnë më 18 mars mund të shtyhen, prandaj kërkoj që mos të bëhen gabime pasi jemi në fazën e fitores”,tha Aliu.
E, për t’u dalë në ndihmë biznesve kryetari i Ferizajt tha se nuk do të qëndrojnë duarkryq .
“Edhe ne nuk do të jemi duarkryq si komunë, ne tashmë kemi paralajmëruar se do të kemi një pako mbështetëse, por kjo çështje nuk varet vetëm nga unë pasi unë jam propozuesi ndërsa Kuvendi është miratuesi i këtyre vendimeve. Ne si komunë do të përgatisim atë pako që do të jetë në mundësitë tona, ajo që do të jetë në mundësinë tonë do të bëjmë lehtësira, gjithçka që është e mundur ne do ta bëjmë, do të përgadisim një pako për t’i mbështetur bizneset”,tha Aliu.
Komuna e Ferizajt kishte 98 të infektuar ku tashmë 72 prej tyre janë shëruar.