Komuna e Ferizajt ditë më parë printe për kah numri i të infektuarve, me numrin që iu ofrua 100-shit.
Por, 72 prej tyre tashmë janë shëruar plotësisht, çka ka çuar në hapjen e hyrje-daljeve, pas 21 ditësh në karantinë.
Megjithatë, drejtues të Komunës kanë vazhduar me thirrjet për kujdes.
Kryetari Agim Aliu ka thënë se virusi është ende në mesin e qytetarëve, andaj duhet respektuar rekomandimet e nivelit qendror dhe lokal.
Kryetari i kësaj komune, Agim Aliu, ka thënë se duke i respektuar masat mund të rikthehet normaliteti në Ferizaj dhe mund të bjerë në binar edhe zhvillimi ekonomik, i cili gjatë dy muajve të fundit vlerësohet të jetë ndërprerë.
Bashkëqytetarë!
Karantina u hoq, por jo edhe masat mbrojtëse ndaj virusit COVID-19!
Sheshet plot, rrugët me qarkullim të shtuar të veturave, shetitjet me bicikleta, daljet e panevojshme rrezikojnë një shpërthim të ri masiv të virusit mes nesh.
Ju lutemi, mos e ktheni në zero përpjekjen e profesionistëve, ekipeve emergjente që ta kalojmë pa pasoja fatale këtë pandemi.
Respektoni orarin e qarkullimit sipas ndarjes kohore në bazë të numrit personal në letërnjoftim, mbani distancën fizike e kujdesin për higjienën personale, mos lejoni që Ferizaj tash kur është në majën e komunave me numrin më të lartë të të shëruarve të kthehet në burim masiv infeksioni nga ky virus.
Kjo lutje është për ju, për ne, që e mundëm e po e mundim çdo ditë valën shkatërruese njerëzore e ekonomike që bart ky virus.
Para se të hedhësh hapin jashtë shtëpisë, ki mendjen tek familja, tek rreziku që i kërcënon nga çdo dalje e panevojshme!