Telefona dhe prova të tjera të një rasti janë zbuluar të mbaheshin në sirtarin e një rreshteri të policisë në Ferizaj.
Dëshmitë të cilat do duhej të ruheshin në dhomën e provave janë zbuluar në raftin e policit ndërsa pas disa ditë suspendimi polici është rikthyer në punë.
Ende nuk është saktësuar se nga cili hetim ishin grumbulluar këto prova ndërsa siç mëson KALLXO.com në sirtarë janë zbuluar disa telefon të konfiskuar të një rasti i cili ende nuk dihet nëse është i raportuar në prokuorori.
Për rastin është suspenduar rreshteri L.S. mirëpo ai është rikthyer në punë pas 72 orësh.
Me rastin tashmë është duke u marrë IPK“Gjatë kontrollit të një zyre të policit në Ferizaj kanë gjetur disa dëshmi dhe disa shkresa”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për KALLXO.com.
Tutje në përgjigje thuhet se në koordinim me prokurorin kompetent janë ndërmarrë edhe veprime tjera hetimore ndërsa provat dhe dëshmitë e gjetura nga ana e IPK-së janë konfiskuar.
Në lidhje me këtë rast është njoftuar edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.
Jashari për KALLXO.com ka treguar se materialet e konfiskuara, pra telefonat kanë qenë të një personi ndërsa rasti është që nga viti 2013.
“Po ka qenë një kontroll i IPK-së në lidhje me këtë rast. Ne kemi marrë informacion në lidhje me këtë ngjarje dhe të gjitha infomacionet i kemi bartur në Inspektoratin Policor të Kosovës.
“Unë fillimisht kam kërkuar që të kemi edhe të kaluarën kriminale të personit i cili është arrestuar në vitin 2013 dhe provat e të cilit janë gjetur në sirtarin e policit. Ky rast ka ndodhur në vitin 2013 pra arrestimi i të dyshuarit për telefona. Ende nuk e dimë se policia në Ferizaj a kanë kryer hetime në lidhje me atë rast apo jo por mund të them se kemi të bëjmë me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, tha Jashari për KALLXO.com.
Tutje ai shtoi se ende nuk ka marrë ndonjë njoftim nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës për hetimet tjera të kryera në lidhje me këtë rast.Në anën tjetër Inspektorati Policor i Kosovës i ka thënë KALLXO.com se rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt ndërsa polici i është suspenduar përkohësisht me vendim të Drejtorit Rajonal të PK-së në Ferizaj.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Drejtorin Rajonal të Policisë së Ferizajt, Emin Beqiri.I njëjti i ka konfirmuar KALLXO.com se i njëjti polic është rikthyer në punë pas 72 orëve suspendim.
”Mund të ju konfirmoj që polici është kthyer në punë pas 72 orëve sa ka qenë i suspenduar. Vendimi është marrë me rekomandim ndërsa IPK po vazhdon të hetoj rastin”, ka thënë Beqiri.