Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministren e Pushtetit Lokal, Emilija Redžepi dhe ministrin e Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku vizituan sot Komunën e Ferizajt.
Mysafirët u pritën nga i pari i Ferizajt, Agim Aliu shoqëruar edhe nga drejtori i DSHMS-së, Bekim Ademi, drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajrami, drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Ferizajt, Jeton Zeqiri, drejtorja e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Nadire Imeri si dhe drejtorja e IKShPK-së në Ferizaj, Sevdije Mehmeti.
Temë e diskutimit në këtë vizitë ishin veprimet që janë ndërmarr e do të ndërmerren me qëllim përballimin e situatës me pandeminë e virusit COVID-19.
Kryeministri Kurti përgëzoi të parin e Ferizajt, Agim Aliu për veprimet e masat që ka ndërmarr gjë që kanë bërë që Ferizaj të ketë shkallën më të ulët të të infektuarve me virusin COVID-19, gjersa është një nga komunat me numrin më të madh të banorëve në Republikën e Kosovës. Ai tutje shprehu interesimin për tu njohur me kapacitetet shëndetësore lokale për ballafaqimin e kësaj situate si dhe shpalosi nismat e veprimet e Qeverisë, pakon mbështetëse financiare e të tjera nisma në dobi të luftimit të këtij virusi.
Nikoqiri, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu njoftoi hollësisht Kryeministrin Kurti me hapat që ka ndërmarr qeverisja lokale si dhe parashtroi kërkesën që në kuadër të pakos fiskale të përfshihen edhe bizneset, që të dalin të pashkatërruara pas pandemisë, por edhe përfshirjen në pako edhe të kategorive të tjera siç janë punëtorët e pastrimit, studentët dhe kleri fetar, për shkak të specifikave që kanë veprimtaritë e tyre si dhe të furnizohen me materiale mbrojtëse e pajisje operuese të gjitha uniformat në shërbim këto ditë. Ai tutje shtoi se komunat kanë nevojë për masa ekonomike që të mbijetoj ekonomia lokale si dhe buxhet të veçantë për komunat për menaxhimin e kësaj situate.
Me zotimin e të parit të Qeverisë së Republikës së Kosovës se do të mbështeten financiarisht Komunat si dhe vendosjen e një raporti ndërveprimi të vazhdueshëm edhe kjo situatë do të tejkalohet.