29,11,2024

50 apo 32 milionë për hyrje në autostradë – kush po mashtron?

Must Read

Qeveria Kurti ka shfuqizuar vendimin për zgjatjen e punimeve në Autostradën ”Arbën Xhaferi”. Ndaj këtij vendimi, ka reaguar ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj. Sipas tij, shfuqizimi i këtij vendimi është bërë pa asnjë analizë. Për 50 milionët që ia përmendi Abdixhiku thotë  se nuk bëhet fjalë për një shumë të tillë, meqenëse asnjëherë nuk është caktuar shuma e saktë. Më herët, Ministria e Financave kishte përmendur shumën prej 32 milionësh që mund të kushtojnë dy kyçjet në autostradë.

Ish-Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka thënë se vendimet për kyçje në autostradën Prishtinë-Shkup janë marrë gjatë qeverisjes së Mustafës, derisa shton se edhe ky vendim është marrë pa asnjë analizë nga “qeveria e mashtruesit”, duke aluduar kështu për kryeministrin Albin Kurti.

“Nuk është i vetmi vendim që me kaq arbitraritet dhe pa asnjë analizë po merret nga qeveria e mashtruesit. Populizmave të kësaj qeveria do t’iu dalë ngjyra shumë shpejt dhe do të zhveshen nga këto maska. Një ditë do të kuptohen të vërtetat e veprimeve të tyre hakmarrëse e në dëm të investimeve të nevojshme e që kanë qenë të parapara në secilin segment të jetës shoqërore. Vendimet për kyqje kanë qenë të ish-qeverisë Mustafa, të rikonfirmuara nga qeveria jonë si të nevojshme për rajonet në fjalë.”, ka thënë Lekaj për Express.

I pyetur për koston e këtyre projekteve, Lekaj ka thënë se asnjëherë nuk është caktuar shuma e saktë dhe se gjithçka ka qenë në fazën e konsultave. Sipas tij, është gënjeshtër e kulluar ajo çka është thënë nga Kurti dhe Abdixhiku.

Tutje, Lekaj ka thënë se kjo qeveri është vetëm mohim i të drejtave dhe nevojave që ka Kosova.

“Nuk bëhet fjalë për shuma të caktuara, gjithçka ka qenë në fazën e konsultave nga autoritetet përgjegjëse të Ministrisë dhe është gënjeshtër e kulluar ajo çka është thënë nga kryeministri e ministri në mbledhjen e qeverisë. Asnjëherë nuk është bërë fjalë për shumat të cilat folën qeveria e mashtrimit. Këta njerëz, ashtu siç e goditën Dukagjinin duke ua mohuar autostradën, njëjtë vepruan edhe me Ferizaj, Viti e Elez Han. Kjo qeveri është vetëm mohim e të drejtave dhe nevojave që ka Kosova dhe asgjë tjetër”, thuhet në përgjigjet e Lekajt drejtuar Gazetës Express.

Pas anulimit të vendimit të Qeverisë Haradinaj për dy kyçje në një mbikalim në autostradën “Arbën Xhaferi”, nga Qeveria e re e Kosovës, e që thuhej se ia mundësonte Bechtel-Enkas 50 milionë euro, ka reaguar ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Një vendim të tillë, ai e ka quajtur mashtrim, duke thënë se qeveria e re anuloi vetëm kyqjet për Ferizajn dhe Vitinë.

“Mashtrimi i radhës i Qeverisë Kurti. Sot duke manipuluar me shifra dhe duke trumpetuar për anulimin e kinse 50 milionëve për Bechtel Enka-n, Qeveria Kurti u mundua që të mashtrojë qytetarët se shpëtoi buxhetin. Për hirë të korrektësisë dhe me misionin që të tregohet e vërteta, sot Qeveria e Mashtrimit anuloi një vendim autorizim për Ministrinë e linjës që të negociojë për kyqjet në Ferizaj dhe Viti”, ka thënë Haradinaj.

Deklaron se në vendimin e Qeverisë që ka drejtuar, nuk është cekur shuma fare.

 “Në vendimin e Qeverisë që unë kam drejtuar nuk ceket shuma. Qytetarë të nderuar Qeveria e Mashtrimit nuk anuloi 50 milion por anuloi vendimin që kishte për qëllim kyqjen e fshatrave të Ferizajit dhe Vitisë, si dhe mbikalimin e Paklenicës me Autostradēn Arbën Xhaferi. Qeveria e Mashtrimit u mundua që të na hedhë hi syve duke përdorur shifra për të anuluar një autorizim”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Deklaratave të Harainaj i janë përgjigjur Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku dhe zëvendëskryeministri Haki Abazi.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Abdixhiku ka thënë se qasja e Vitisë në autostradë garantohet me Vendimin e Qeverisë Mustafa të marrë 3 vite më parë.

“Vendimi i anuluar i djeshëm është krejt tjetër – i qeverisë PAN; që përveç se parapërcaktonte në mënyrë arbitrare një firmë të bënte këtë punë, e bënte me çmim plot 50 milionë euro më shumë. E merrni me mend sa kyçja e sa puna bëhet me këtë shumë?

:Kyçjen në Gërlicë të Vitisë e kemi paraparë edhe në programin qeveritar LDK-LVV; kapitulli i 8-te, faqe 32. Për dallim prej fjalëve të qeverisë së shkuar, ne do ta bëjmë këtë punë në këtë mandat. Më mirë e më lirë; më drejtë e më pastërt”, ka shkruar Abdixhiku.

Ndërkohë, Haki Abazi ka thënë se kyçjet në autostrada janë të domosdoshme, por jo të bëhen me kaq para.

“Por, 49 Milion Euro për një dalje dhe një mbikalim, me para të taksapaguesve, sigurisht që duhej të ndalet, dhe është ndalur. Sigurisht që edhe gropimi dhe shëmtimi i zonave urbane duhet të ndërpritet”, ka shkruar Abazi në Facebook.

Gazeta Express kishte raportuar në tetor të vitit të kaluar se Ministria e Financave kishte pranuar një kërkesë nga Ministria që udhëhiqej nga Pal Lekaj në atë kohë, për ndarjen e mjeteve financiare për këto projekte.

Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini i kishte thënë Gazetës Express se Ministria kishte paraqitur kërkesë në shumë prej 32 milionë euro për ndërtimin e kyçjeve nga Ferizaj dhe Vitia në autostradën “Arbën Xhaferi”, dhe mbikalimin në Paldenicë.

“Sa i përket pyetjes, Ministria e Infrastrukturës me kërkesa buxhetore për vitin 2020 ka paraqitur kërkesën në shumë prej 32,200,000 €  emër te realizimit të projektit (ndërtimin e kyçjeve nga Ferizaj dhe Vitia në autostradën “Arbën Xhaferi” dhe mbikalimin në Paldenicë ), pjese e projektit  Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit”, kishte thënë Shahini për Express.

Ndryshe, autostrada që mban emrin e politikanit shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Arbën Xhaferi, sipas kontratës fillestare parashihej që t’i kushtonte shtetit rreth 600 milionë euro. Por, gjithçka ndryshoi me fillimin e punimeve.

Për shkak të mosrespektimit të kontratës, kompania amerikano-turke kishte detyruar Qeverinë e Kosovës të paguaj 53.1 milionë euro.

Arsyet ishin për zvarritje të punimeve, si dhe për vonesa në pagesa të mjeteve në të kundërtën kushtëzuan se i ndërpresin punimet në Autostradën “Arbën Xhaferi” për ta dërguar lëndën në Arbitrazhin ndërkombëtar.

Menjëherë pas këtij paralajmërimi, Qeveria mori vendim që ta shlyejë këtë borxh. Ish-kyeministri Ramush Haradinaj pati thënë se po i ndajnë këto para për të mos u përballur me procese gjyqësore.

Ky vendim i të parit të ekzekutivit ishte vënë nën llupën e organeve të hetuesisë.

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi kishte konfirmuar se Prokuroria dhe Policia Hetuese janë duke mbledhur të dhëna lidhur me ndarjen e 53 milionë eurove shtesë për këtë kompani.

“Prokuroria, së bashku me Policinë Hetuese, do të mbledhë të dhëna dhe informacione të nevojshme për t’u siguruar se a ka dyshim të arsyeshëm se a është kryer ndonjë vepër penale për të cilën ndjekja ndërmerret sipas detyrës zyrtare“,kishte thënë Lumezi.

Pas më shumë se gjysmë dekade punime, kjo autostradë arriti që të përurohej tek më 29 maj të këtij viti. Në ceremoninë e përurimit morën pjesë krerët e shtetit, përfaqësues të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe ambasadorë të akredituar./Gazeta Express

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Në fundjavë, “KUPA E FEDERATËS 2024”

Spektakli i volejbollit në Kupën e Federatës, fillon këtë fundjavë! Këtë fundjavë nis edicioni i ri i Kupës së FVK-së,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img