Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka komentuar reagimet e opozitës pas shfuqizimit të vendimit për dy kyçje në një mbikalim në autostradën “Arbën Xhaferi”.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se ashtu si me çdo vendim tjetër të Qeverisë Kurti, “opozita e zënë ngushtë po e provon propagandën”.
Abdixhiku ka mohuar se me këtë vendim, banorëve të regjionit të Vitisë nuk iu është lënë qasje në autostradë.
Sipas tij, qasja e Vitisë në autostradë garantohet me vendimin e Qeverisë Mustafa të marrë 3 vjet më parë.
“Vendimi i anuluar i djeshëm është krejt tjetër – i qeverisë PAN; që përveç se parapërcaktonte në mënyrë arbitrare një firmë të bënte këtë punë, e bënte me çmim plot 50 milionë euro më shumë. E merrni me mend sa kyçja e sa puna bëhet me këtë shumë? Kyçjen në Gërlicë të Vitisë e kemi paraparë edhe në programin qeveritar LDK-LVV; kapitulli i 8-të, faqe 32. Për dallim prej fjalëve të qeverisë së shkuar, ne do ta bëjmë këtë punë në këtë mandat. Më mirë e më lirë; më drejtë e më pastër”, ka thënë ai, raporton KOHA.
Për këtë vendim të Qeverisë Kurti ka reaguar dje, ish-kryeministri Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se “duke trumbetuar për anulimin e kinse 50 milionëve për Bechtel-Enkan, Qeveria Kurti u mundua që të mashtrojë qytetarët se shpëtoi buxhetin”.
“Për hir të korrektësisë dhe me misionin që të tregohet e vërteta, sot Qeveria e Mashtrimit anuloi një vendim-autorizim për Ministrinë e linjës që të negociojë për kyçjet në Ferizaj dhe Viti. Në vendimin e Qeverisë që unë kam drejtuar nuk ceket shuma”, ka shkruar ai.
Duke e quajtur “Qeveri të Mashtrimit” qeverinë Kurti, Haradinaj tha se nuk anuloi 50 milionë, por anuloi vendimin që kishte për qëllim kyçjen e Ferizajt dhe Vitisë, si dhe mbikalimin e Paldenicës me Autostradën “Arbën Xhaferi”.
“Qeveria e Mashtrimit u mundua të na hedhë hi syve duke përdorur shifra për të anuluar një autorizim”, ka thënë ai.
Ndërkaq ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka thënë se me këtë vendim Vitia po diskriminohet.
Ai ka shtuar se vendimi që Vitia të mos ketë kyçje në autostradën “Arbën Xhaferi” është i padrejtë.
“Pa dashur të komentoj procedurat e tenderimit, sepse nuk kanë qenë çështje e imja, unë personalisht pata kërkuar kyçjen e Vitisë në këtë autostradë. Ky vendim është i dëmshëm për banorët e Vitisë dhe ekonominë e kësaj komune”, ka thënë ai.
Por, shfuqizimi i këtij vendimi nuk është kritikuar vetëm nga opozita. Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës, është shprehur i pakënaqur me vendimin. Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mos zvarritet ndërtimi i kyçjës në fshatin Gërlicë e cila lidh Vitinë me autostradën e Shkupit.
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e rregullt të mbajtur dje, me propozim të ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka anuluar vendimin e Qeverisë Haradinaj për dy kyçje në një mbikalim në autostradën “Arbën Xhaferi”.