E mërkura e fundit e muajit Shkurt pllakosi dhembje e pikëllim kudo në Ferizaj e më gjerë. I dhamë lamtumirën të rrallit personalitet të shkencës mjekësore, humanistit e atdhetarit të paepur, Prof.Dr. Safet Beqiri.
Nisja e ceremonisë mortore nisi nga Prishtina. Nga bankat e amfiteatrit e Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisē, Kirurgjisë Torakale, ku mjekë të profesionit, miq e drejtues të themelatave të shëndetësisë të pikëlluar thellë evokuan kujtimet e punës me të ndjerin në këtë mbledhje komemorative.
E vendlindja, Ferizaj, Kosharja ishin zgjuar herët sot. Po prisnin e ishin organizuar që dinjitetshëm, me nderime shtetërore t’i jepnin lamtumirën e fundit më të arririt bashkëqytetarë, Prof. Dr. Safet Beqiri.
Ishte i pari i Ferizajt, Agim Aliu që për nderin e Ferizajt, kujtimin e veprën e jashtëzakonshme të profesorit e mjekut të kalibrit botëror, Safet Beqiri, ishte përkujdesur deri në detaje që organizimi nën patronatin e tij, ta përcjellë deri në banesën e fundit, dinjitetshëm ashtu siç meriton ky personalitet.
Në fjalën e tij për mikun e veçantë e bashkëqytetarin Dr. Safet Beqiri, i pari i Ferizajt, Agim Aliu i emocionuar tha se e ka shumë të vështirë, se qepallat pavullnetshëm rëndojnë lot, sot kur po i falim përjetësinë Dr. Safetit.
“Gjersa loti rëndon qepallat e shpirti lëngon zbraztinë, vdekja po përkund në krahë, mikun, familjarin, shembëlltyrën e qytetarisë e intelektualitetit, humanistin e përndritur e atdhetarin e paepur, ndër të rrallin e të papërsëritshmin mes nesh, profesorin e mjekun e kalibrit botëror, Prof.Dr. Safet Beqiri. Sa trim është ai që pa vdekjen mijëra herë në sy e i buzëqeshi pasi e mundi?! Po, ishte mjeku duarartë, zotnia i profesionit e prindi i përpjekjeve i bërë njësh në një emër e fizionomi shprese. Ishte atje, Dr. Safeti! Edhe në vlimet përvëlonjëse të qenies sonë kombëtare, edhe në gëzimet e hidhërimet e fatit tonë kolektiv, me ngrohtësinë e shkëlqimin e humanitetit e nismëtarit të pashoq. Ishte prijëtari e mbetet udhërrëfyesi më besnik i kohërave kur liria vonohej. E kur Kosova dergjej e kullonte plagë lirie, pati bijtë e bijat dalzotës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte manteli plot gjak i shpëtimit nga robëria fashiste e fundshekullit XX. Arkëmorti atje, është i rëndë, jo nga pesha fizike, as nga lulet e përkujtimit që trishtueshëm ulin kokën e i mbështjellin shtatin të papërsëritshmit Dr. Safetit, por nga bëmat, nga mirësia që çeli si shpresë mëngjesi në jetën e mijëra pacientëve. Ferizaj, pati e gjithnjë do ta ketë, fatin e rrallë e faqen e bardhë, t’i jap botës, shkencës, ngadhnjimit të jetës mbi vdekjen, birin e tij më fisnik, që rriti ky qytet e kjo familje, që pashkëputshëm edhe në mërgim, rrënjët e vendlindjes i vaditi me dashuri e kujdes. Ferizaj, me germa të arta, shkroi e do të shkruaj gjithmonë, më të pashlyeshmin e të ndriturin- emrin e tij, punën e djersën që i hoqi kapelën elita e mjekësisë botërore e buzëqeshja plot jetë e pacientëve. Faleminderit profesor që i dhe aq shumë Ferizajt, Kosovës e gjithë kombit!
Faleminderit që me aq zjarr e dashuri lartësove krenarinë e çdo shqiptari!
Lamtumirë profesor! Lamtumirë miku im!” tha mes tjerash, në fjalën e tij, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.
Me fjalë rasti, përveç Kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu, në mbledhjen komemorative të organizuar në Ferizaj, të pranishmëve iu drejtuan edhe Prof.Dr. Eckhard Mayer e Server Bylykbash nga klinikat prestigjioze europiane, me të cilët punoi i ndjeri, kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati, dr. Nardi nga Spitali Amerikan në Tiranë, Dom Lush Gjergji që evokoi kujtimet në angazhimet me të ndjerin në themelimin e shoqatës “Nëna Tereze” dhe kontributit të pashoq human të Prof. Dr. Safet Beqirit, Ramiz Avdulli mik e njëri nga të parët e gjeneratës së mjekëve ferizajas si dhe i biri i Dr. Safetit, Jeton Beqiri, i cili falënderoi nga zemra udhëheqjen komunale për organizimin, miqtë e familjarët që iu gjendën pranë familjes, duke lehtësuar dhembjen e humbjes së prindit, bashkëshortit, gjyshit e vëllait.
Mijëra ferizajas sot, mjekë, elitë drejtuese e qytetit, shtetarë e ndërmarrës, artistë e sportistë, të huaj e vendorë, nën tingujt e muzikës funebre, përveç në mbledhjen komemorative në Ferizaj, nderuan me homazh pranë arkivolit, trupin e pajetë të Prof.Dr. Safet Beqiri.
E në Kosharen e tij të lindjes, lum qytetarësh morën pjesë në ceremoninë e varrimit. Togu ceremonial i Forcave të Armatosura të Kosovës, Policisë së Kosovës, i bënë nderimet më të larta shtetërore. Lule, rreze dielli, lot dhembje e krenari për më të ndriturin që ne patëm, Ferizaj me kolona mijërash qytetarë i dha lamtumirën e fundit, të papërsëritshmit, Prof. Dr. Safet Beqiri.