26,11,2024

Rrahje në sallën gjyqësore në Ferizaj, 13 persona shoqërohen në polici

Must Read

Të enjten, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ka eskaluar situata në rastin ku ishte paraparë të vazhdohej gjykimi ndaj të akuzuarve për rastin e vrasjes që kishte ndodhur në shkurt të vitit 2018, në Ferizaj.

Për vrasjen e Besart Hasanit, po akuzohet Albert Ramadani, kurse për pjesëmarrje në rrahje, e cila i kishte paraprirë vrasjes po akuzohen, Artan Ramadani, Fadil Ramadani, Argjend Ramadani dhe Driton Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky i fundit po akuzohet edhe për veprën penale të mashtrimit, lidhur me shitblerjen e një veture të markës “BMW X5”, e cila sipas prokurorisë, kishte qenë edhe shkak i vrasjes.

Në sallë të gjykatës, derisa po planifikohej të vazhdonte gjykimi në këtë rast, familjarët e tani të ndjerit, si dhe të akuzuarit Ramadani e Krasniqi janë përfshirë në rrahje.

Një gjë të tillë, e kanë konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zyrtarë të Gjykatës Themelore në Ferizaj, të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, si dhe Policia e Kosovës.

Ngjarja ka nisur, pasi që në seancën e së enjtes ishte paraparë që të shfaqeshin video-incizimet e vendit të ngjarjes, për çka, mbrojtësi i të akuzuarit Albert Ramadani, avokati Ymer Huruglica, ka kërkuar që gjatë shfaqjes së tyre të largohen të akuzuarit dhe publiku.

Propozimin për përjashtimin e publikut, e ka aprovuar edhe prokurori i rastit, Rasim Maloku, ndërsa lidhur me propozimin për përjashtimin e të akuzuarve, tha se i mbetet trupit gjykues të vendosë.

Ndërsa, kundër këtyre dy propozimeve, ishte përfaqësuesi i familjes së tani të ndjerit Hasani, avokati Ramiz Krasniqi.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mustaf Tahiri, mori aktvendim që të akuzuarit të qëndronin, ndërsa publiku të përjashtohej, çka edhe ngjalli reagime nga disa anëtarë të familjes së të ndjerit, të cilët refuzuan të dilnin.

Pas kësaj, ka nisur edhe përleshja mes tyre.

Zëdhënësi i Stacionit Policor në Ferizaj, Agim Gashi, ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, se rasti ka ndodhur rreth orës 11:00, gjatë seancës gjyqësore, ku ka ardhur deri tek konflikti mes palëve në procedurë.

Ai ka thënë se 13 persona janë ndaluar, ku shtatë prej tyre janë në cilësi të të dyshuarve, ndërsa gjashtë të tjerë në cilësi të dëshmitarëve.

“Policia ka intervenuar, ka vënë situatën në kontroll, dhe lidhur me këtë rast janë shoqëruar 13 persona për në stacionin policor, nga të dy palët. Të njëjtit janë duke u intervistuar, ndërsa lidhur me hapat e mëtutjeshme, ato do të merren në konsultim me prokurorin, ka thënë zëdhënësi i Stacionit Policor në Ferizaj, Agim Gashi.

Ndërsa, prokurori i çështjes, Valdet Avdiu, ka thënë se për këtë rast janë ndaluar disa persona.

“Janë ndaluar disa persona, dhe të njëjtit janë duke u intervistuar. Ende nuk ka kallëzim penal”, ka thënë prokurori i çështjes, Valdet Avdiu.

Rastin e ka konfirmuar edhe administratori i kësaj gjykate, Sejdi Sadiku.

“Ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, sot më datë 26 dhjetor 2019, gjatë shqyrtimit gjyqësor për lëndën PKR.nr.200/18, vepra penale “vrasje e rëndë”, derisa trupi gjykues nuk ka qenë prezent në sallën e gjykimit, ka ndodhur një përleshje në mes të palëve procedurale. Zyrtarët policor të cilët kanë qenë prezent në sallën e gjykimit, si dhe sigurimi i gjykatës, kanë intervenuar me shpejtësi, me qëllim të qetësimit të situatës që ka ndodhur. Si pasojë e kësaj përleshje, seanca gjyqësore është ndërprerë dhe e njëjta është shtyrë për një afat të pacaktuar. Gjithashtu, njoftoheni se me rastin është duke u marrë Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Ferizaj, si dhe prokurori kompetent”, tha Sadiku.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 24 tetor 2018 nga ana e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Albert Ramadani akuzohet se me 28 shkurt 2018, rreth orës 18:25, në rrugën magjistrale Ferizaj –Prishtinë, përballë kafiterisë “Aniki” në Ferizaj, me dashje dhe në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta tani të ndjerin Besart Hasani, pas një mosmarrëveshje lidhur me një borxh në shumën prej 60,000 euro, lidhur me një veturë të markës “BMË X5”.

Në aktakuzë thuhet se, atë veturë Artan Ramadani ia kishte shitur Driton Krasniqit, me ndërmjetësimin e tani të ndjerit Hasani, e të cilin borxh Dritoni sipas marrëveshjes është dashur ta paguaj deri më 28 shkurt 2018, mirëpo i akuzuari Artan Ramadani së bashku me axhën e tij dhe dajën Gafurr kishin shkuar në Prishtinë për t’ia kërkuar borxhin, ndërsa Dritoni ju kishte thënë se do të vinte në Ferizaj dhe se e paguan borxhin.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Dritoni dhe tani i ndjeri Hasani kishin ardhur rreth orës 18:00, me ç’rast Dritoni u kishte thënë “ju ma keni shqetësuar familjen që keni ardhur tek shtëpia ime dhe këtë punë nuk e lan as hoxha e as prifti”, kështu që të pandehurit ishin revoltuar dhe kishte filluar fyerja reciproke mes tyre .

Tutje, sipas aktakuzës, i akuzuari Fadil e kishte nxjerr jashtë tani të ndjerin Besart për ta qetësuar situatën, mirëpo Besarti e kishte goditur me kokë atë në pjesën e hundës dhe e kishte rrëzuar për tokë.

Pas kësaj, sipas prokurorisë kishin dal edhe të pandehurit Albert, Artan dhe Argjend Ramadani dhe kishte filluar rrahja para lokalit, ndërsa i ndjeri Hasani kishte filluar të ikë në anën e kundërt të magjistrales, kurse të pandehurit kishin vrapuar pas tij.

Me këtë rast, vazhdon aktakuza, i akuzuari Albert kishte nxjerr pistoletën dhe kishte shtënë dy herë në drejtim të të ndjerit, kurse i ndjeri ishte rrëzuar dhe në gjendje të shtrirë, të akuzuarit e kishin goditur me shqelma në të gjithë pjesët e trupit,  ku si pasojë e gjakderdhjes kishte ndërruar jetë në vend të ngjarjes.

Me këtë, Albert Ramadani akuzohet se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë nga neni 179 par.1 nënpar.1.4 të KPRKS-së si dhe për veprën mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPRK-së.

Kurse, Driton Krasniqi, Artan, Fadil dhe Argjend Ramadani, akuzohen se me datën 28 shkurt 2018 orës 18:25 minuta në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, përballë kafiterisë “Aniki” në Ferizaj, kanë marrë pjesë në rrahjen në të cilën ishte privuar nga jeta i ndjeri Besart Hasani.

Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrje në rrahje nga neni 190  par.2 të KPRK-së.

Driton Krasniqi, akuzohet edhe për veprën penale “mashtrimi” nga neni 335 par.5 të KPRK-së, sepse sipas aktakuzës, më 13 janar 2018, në Ferizaj, me paraqitje të rreme të fakteve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e kishte mashtruar pronarin e auto sallonit “Aldioni”, Artan Ramadanin, në atë mënyrë që sipas aktakuzës, kishte lidhur kontratë për blerjen e automjetit “BMË X5 30 xDrive”, për çmimin 64,000 euro, me ç’rast kishte paguar 4000 euro, kurse shumën tjetër ishte dashur ta paguaj me 28 shkurt 2018, mirëpo i pandehuri Krasniqi veturën e kishte shitur, kurse paratë nuk ia kishte paguar në afatin e caktuar. /BetimipërDrejtësi

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Për tre vjet KRM “Pastërtia” në Ferizaj kursen mbi 600 mijë euro nga rritja e të hyrave

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj gjatë viteve të fundit ka përmirësuar gjendjen financiare derisa ka kursyer nga...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img