26,11,2024

Kreu politik, institucional e fetar në Ferizaj, bashkë uruan sot besimtarët katolik në festën e Krishtlindjes

Must Read

Kreu politik, institucional e fetar në Ferizaj, bashkë uruan sot, drejtuesit e Kishës Katolike “Engjulli i Rojës” në Ferizaj dhe besimtarët katolik në festën e Krishtlindjes.

Ishte i pari i Ferizajt, Agim Aliu qe i priu vargut të gjatë të udhëheqjes e përfaqësuesve të institucioneve të shtetit e shoqërisë. Me mesazhin se kjo festë është ngadhënjimi i së mirës, shpresës e dashurisë kuptimplote, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu kumtoi lajmin se së shpejti, Kisha Katolike “Engjulli i Rojës” do t’i nënshtrohet renovimit të tërësishëm për ta ruajtur, konservuar dhe promovuar atë, si një objekt me vlerë trashëgimie shpirtërore për shoqërinë ferizajase.

“Është ditë feste, festa e Krishtlindjeve, me këtë rast së bashku me miqtë, kolegët, deputetë, drejtues të tjerë të institucioneve politike, të sigurisë, por edhe të Bashkësisë Islame, të gjithë ishim së bashku sepse gjithmonë festat na kanë bashkuar, që të urojmë me këtë rast bashkëqytetarët të komunitetit të krishterë për festën e Krishtlindjeve. Sigurisht se i urova në emër të institucionit, në emër të gjithë qytetarëve të Ferizajt të cilët i përfaqësoj, me urimet më të mira, sepse festa respektivisht Krishtlindjet janë simbolikë e ngadhnjimit të së mirës, shpresës për njerëzimin dhe ditë ku jepen mesazhet e paqes dhe dashurisë. Me këto paqe të paqes dhe dashurisë, sigurisht se i urojmë edhe njëherë gjithë komunitetin e krishterë. Gjithashtu e vlerësuam punën, angazhimin e përbashkët që ne kemi pasur si bashkëqytetarë dhe institucione, institucioni i Kishës Katolike, Caritas Kosova këtu dhe drejtuesit e saj, Don Viktor Sopi dhe komuniteti që ai dhe bashkëpunëtorët e tij përfaqësojnë e me këtë rast uruam njëri-tjetrin që ky bashkëpunim të rritet dhe avancohet në të ardhmen dhe ne si gjithmonë, si Ferizaj që jemi karakterizuar me këtë frymë të bashkëpunimit, mirëkuptimit e tolerancës do të vazhdojmë edhe vitin tjetër për të siguruar suksese e bashkëpunime të reja, gjithmonë në mirën e qytetarëve dhe mirëqenien e tyre, por mbi të gjitha për më shumë afërsi, paqe e dashuri mes njerëzve. Si Kryetar i Komunës, në bashkëpunim edhe me institucionet qendrore me deputetët ferizajas në Kuvendin e Kosovës dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhamë lajmin e mirë për komunitetin e krishterë se tashmë kemi nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit , ku do të bëhet renovimi i Kishës Katolike “Engjulli i Rojës” në Ferizaj, që është një bashkëpunim që kishte nisur më herët mes nesh, MKRS-së, komunitetit të krishterë, Kishës Katolike “Engjulli i Rojës” dhe udhëheqësi i saj Don Viktor Sopi” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu.

“Vizituam kishën katolike “Engjëlli i rojës” në Ferizaj, për të uruar festën e Kërshëndellave, festë e cila na bashkon në paqe, mirëkuptim, solidaritet dhe dashuri. Me këtë rast kremte, i përgëzova dhe urova për marrëveshjen për renovimin e kishës “Engjëlli i Rojës”, që njëherit është edhe objekt i trashëgimisë kulturore.Gëzuar Krishtlindjet!” tha deputeti Elmi Reçica

Me dollinë e tortën e Krishtlindjes, uratat nga mysafirët për kreun e Kishës Katolike e besimtarët e krishterë u përmbyll vizita e kreut politik lokal, për të uruar festën e Krishtlindjes.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

30 gra udhëheqëse të agrobizneseve përfitojnë 300 mijë euro grante

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Burim Bajrami mori pjesë sot në tryezën tematike "Mundësitë e grave në sektorin bujqësor,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img