Me ftesë të Institutit Ndërkombëtar Republikan nga Departamenti Amerikan i Shtetit këto dy ditë në Sofje të Bullgarisë po mbahet Konferenca e Dytë Vjetore e Sigurisë ku pjesëmarrës në këtë forum janë zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, ambasadorja e SHBA-së në Bullgari, drejtues e përfaqësuesit më të lartë shtetëror të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Është Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i vetmi kryetar komune nga Republika e Kosovës që po merr pjesë në këtë forum rajonal të sigurisë, shoqëruar edhe nga drejtori komunal, Lulzim Aliu.
Nevoja për një koordinim më të gjerë rajonal e ndërkombëtar duke sofistikuar mekanizmat shtetëror të komponentës së sigurisë e shkëmbyer praktikat më të mira mes shteteve të Ballkanit Perëndimor ka shtyrë realizimin e shumë nismave me karakter rajonal e ndërkombëtar si format i këtij forumi.
Ferizaj paraqet një arterie të rëndësishme të komunikimit rajonal për faktin e afërsisë me kufijtë shtetërore të vendeve fqinje, nga ku paraqitet edhe nevoja e një mirëkoordinimi rajonal në planin e sigurisë. Poashtu, me theks të veçantë në këtë konferencë u diskutua për të kthyerit nga vatrat e konflikteve, trajtimi i tyre, shërbimet dhe gjithë procesi që përfshinë infrastrukturën ligjore, sociale e kulturore për të cilat pjesëmarrësit e shteteve të rajonit ndanë përvojat e praktikat më të mira.
Me referencë të veçantë, përveç shumë kryetarëve të komunave nga shtete të Ballkanit Perëndimor, ministrave të punëve të brendshme të shteteve të rajonit dhe qindra akterëve të rëndësishëm të sigurisë rajonale e ndërkombëtare, të pranishmëve iu drejtua edhe Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov i cili si vend nikoqir i këtij organizimi tha se nisma të tilla i kontribojnë stabilitetit dhe mirëkoordinimit rajonal në fushën e sigurisë.