Lidhur me tragjedinë që pllakosi sot Shqipërinë nga tërmeti shkatërrimtar, Komuna e Ferizajt përmes Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, ka mobilizuar gjithë mekanizmin institucional lokal në ndihmë banorëve në vështirësi në zonat e prekura nga tërmeti e qeverisë shqiptare për tejkalimin e pasojave të kësaj fatkeqësie natyrore.
Për këtë të gjithë qytetarët e Ferizajt, që nga nesër kanë mundësinë që ndihmat e grumbulluara si veshmbathje e ushqime t’i ofrojnë përmes njoftimit tek zyrtarët përkatës komunal të emergjencave në kuadër të Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, me qëllim që të grumbullohen në një pikë grumbullimi ku si hapësirë është ndarë Palestra e Sporteve “Bill Clinton” nga ku do të organizohet transporti drejt zonave të prekura nga tërmeti në Shqipëri.
“Duke qenë një situatë e emergjencës mbarëkombëtare e kur solidariteti asnjëherë nuk ka munguar ndër ne, Komuna e Ferizajt bënë thirrje tek të gjithë qytetarët, grupet shoqërore, bizneset e kushdo që ka vullnetin të kontribuoj në tejkalimin e kësaj situate të interesohet dhe veproj sipas udhëzimeve të lartcekura që sadopak të ndihmojmë në rimëkëmbjen dhe tejkalimin e pasojave të tërmetit shkatërrimtar” thuhet në komunikatën lëshuar nga Komuna e Ferizajt