Pajisjet e ndryshme teknologjike shpeshherë kanë rrezikuar jetën e njerëzve. Nga shpërthimi i baterive, shumë persona kanë marrë lëndime e disa prej tyre edhe kanë humbur jetën. Një rast i shpërthimit të baterisë së telefonit ndodhi mbrëmë në Shtime, derisa pronari i një dyqani për shitjen e telefonave celularë ishte duke punuar në të.
Për çfarë arsye ndodhë një gjë e tillë, tregon njëri nga punonjësit e një dyqani për shitjen e pajisjeve teknologjike në Ferizaj.
“Duhet të kemi shumë kujdes, kemi disa mjete që janë për përkujdesje apo për mosshpërthimin e baterisë, bateria më së shumti shpërthen për shembull kur të fillon ta deformoj baterinë, bateria duhet të jetë e drejtë dhe kur të hapet duhet të hapet me masa mbrojtëse. Kanë ndodhur raste me klientë të mosdijshëm, por nuk ka pasur problem, i kemi treguar, ka mundësi edhe adapteri i dobët, duhet të jetë i mirë dhe jo 1 euro, sepse e dëmton shumë baterinë brenda, bëhet fryerja e baterisë, duhet të ndërrohet bateria çdo një muaj për këtë. Kur është adapteri i mirë, nuk hap asnjë problem”, tha Muhamet Haliti.
Ai duke treguar për masat mbrojtëse që nevojiten kur punohet në celularë, tha se kontrollet nga inspektorët për sigurinë në punë nuk mungojnë.
”Ka pasur edhe kontrollime nga inspektorët, kemi dalë shumë mirë, nuk ka pasur diçka problem. Masa mbrojtëse kemi kundër depërtimit të rrymës në trup, ajo parandalon shpërthimin e baterisë, përdorim syze”, tregoi Muhmet Haliti.
Televizioni Tema ka kontaktuar me Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, Valon Leci, i cili tha se Inspektorati I Punës në vazhdimësi është në inspektim të kushteve të punës në Kosovë.
“Gjithmonë ka hapësirë për përmirësim, përderisa kemi rreth 60 aksidente në vend të punës që kanë përfunduar me lëndime dhe 11 aksidente që kanë përfunduar me fatalitet kjo nënkupton që në këto raste diçka ka qenë e mangët që janë shkaktuar këto aksidente. Nuk ka ndonjë indikatorë matës të themi se si është situata, a respektohet apo jo. Vitin e kaluar i kemi pasur rreth 10 mijë inspektime, këtë vit trendi është në rritje, kemi edhe më shumë inspektime sesa vitin e kaluar”, u shpreh ai.
Këtë vit, Inspektorati i Punës u tha se ka shqiptuar mbi 200 gjoba për mosrespektim të sigurisë në punë, ndërsa vitin e kaluar ishin shqiptuar 270 gjoba me një shumë të përgjithshme deri në 35.000 euro, varësisht nga shkeljet e dispozitave të ndryshme./Tv Tema