Në Komunën e Ferizajt ka filluar asfaltimi i të gjitha rrugëve në fshatin Zllatar.
“Pas vitesh harrese, qeverisja Aliu kthen investimet në Zllatar. Së shpejti, përmbyllet asfaltimi i të gjitha rrugëve në këtë fshat. Zllatari është shembulli sesi zonave të harruara për vite me radhë nga pushteti lokal, po i kthehen investimet duke i dhënë dimension të ri zhvillimit të fshatit dhe jetës së banorëve të kësaj ane të Ferizajt. Janë plot 18 rrugë të planifikuara të asfaltohen nga qeverisja Aliu për gjithë fshatin Zllatar, të cilat përfundimisht zgjidhin problemet me infrastrukturën rrugore, të munguar për dekada me radhë”, ka njoftuar Komuna e Ferizajt.
Të mërkurën është bërë asfaltimi i njërës nga arteriet më të rëndësishme të Zllatarit në kuadër të projektit 220 mijë eurosh për finalizimin e infrastrukturës rrugore në këtë fshat. Për t’i përcjellë punimet në këto rrugë, ka dalë në terën kryetari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorin e Infrastrukturës, Arbër Bytyqi.
Ky i fundit ka thënë se me këtë projekt, qeverisja lokale finalizon gjithë infrastrukturën rrugore në këtë fshat, duke ndikuar kështu edhe në cilësinë e jetës së banorëve.