Të dielën në orët e hershme të mëngjesit, në rrugën Ferizaj – Lipjan, janë plagosur tre persona nga të shtënat me armë zjarri.
Klan Kosova përmes burimeve mëson se në mesin e të plagosurve është edhe djali i kryetarit të Shtimes, Naim Ismajlit.
Ai tha se e gjithë ngjarja ka ndodhur brenda një lokali në afërsi Graçanicë, ku djali i tij ka qenë me shoqëri dhe ka qenë mysafir në atë lokal që ka ndodhur rasti dhe për pasojë është lënduar nga një plumb qorr.
“Po është djali im i vogël. Ka qëlluar me shoqëri nuk është i përfshirë në rastin e incidentit, por ka qenë thjesht mysafir në atë objekt dhe është lënduar. Ka goditje të një plumbi qorr. Ka qëlluar me shoqëri atje, por fatmirësisht ka shpëtuar sepse është lëndim i lehtë”, tha Ismajli.
Ndërsa rastin për të shtënat me armë zjarri në një lokal e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Me datën 20.10.2019, rreth orës 03:00, në rrugën Ferizaj – Lipjan, saktësisht në një lokal, është raportuar për të shtëna me armë zjarri, ku lëndime trupore nga arma e zjarrit kanë marrë tre persona”.
“Të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor. Aktualisht policia është duke punuar për arrestimin e personave të dyshuar si dhe sqarimin e rrethanave që lidhen me rastin”.